Kurti për vrasjen e grave: Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.
Ai përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, ka thënë se dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh.
“Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj. Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjellur familjarizimin me dhunuesit në shoqëri. Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme”, ka shkruar Kurti.
Tutje Kurti u shpreh se gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit.
“Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private. Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror – gruaja shërbëtore”. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vjen nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan. Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje”, ka shkruar Kurti./21Media