Kurti për vrasjen e gruas shtatzënë: Dy engjëj në qiellin e pistë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK.
Kurti ka thënë se gruaja shtatzënë u vra në vendin ku duhet të shërohen njerëzit.
“Dy engjëj në qiellin e pistë. Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Një grua dyshohet se është vrarë më 30 nëntor në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, bëri të ditur Policia e Kosovës. Autoritetet e rendit thanë se kanë pranuar informatën rreth orës 18:00 se në oborrin e QKUK-së gjendej një trup i pajetë. Viktima besohet se është rreth moshës 35-vjeçare./21Media

Back to top button