Kurti: Po punojmë për ta vënë Serbinë para përgjegjësisë për krimet në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 23-vjetorit të Ditës së Paqes, morën pjesë në Manifestimin Qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, i organizuar nën Patronatin e Presidencës së Republikës së Kosovës.
Datë të shënuar të Kosovës dhe të kombit e cilësoi kryeministri Kurti 12 Qershorin në fjalën e tij.
“Dallon në shënimin e saj historik, sepse kjo nuk është dita e një përpjekjeje, por e realizimit të një rruge të gjatë sakrifice e vuajtjesh historike. Ne kemi shumë ditë të larta të luftës dhe vuajtjes, por kemi pak ditë të larta të realizimeve sublime”, tha ai.
Duke kujtuar se sot bëhen plot 23 vjet nga koha e çlirimit të vendit tonë, kryeministri Kurti tha se janë 23 vjet rrugëtim për të arritur lirinë që kemi ëndërruar gjithmonë.
“Është aq shumë e dhimbshme saqë ndjenjë e papërshkrueshme për shumë prej nesh që jetojmë sot këtu – pikërisht në Bllacë. Në vendin ku qindra mijëra shqiptarë kanë kaluar ditë e net të tëra nëpër tenda, në baltë, diell e shi, duke shpresuar që shpëtimi gjendet përtej kufirit”, u shpreh ai.
“Ne si popull e dimë mirë dhe e kemi dëshmuar se nuk na lodhë sakrifica dhe vuajtja. Dëshmorët e kombit, siç u shpreh ai, janë dëshmia e popullit për liri. Por, duhet të shquajmë edhe një të vërtetë tjetër të dhimbshme: ne nuk na lodhë lufta dhe sakrifica, por na përgjumë ca fitorja dhe suksesi. Kjo fitore, ky çlirim, kjo datë sublime në histori, na vendosi disi në një qetësi, në një gjendje rehatie që na e vështirësoi vazhdimin. Kjo datë na kërkonte një shpejtësi të re, një organizim të ri. Për të bërë luftën, ne e morëm vetë vendimin. Për të bërë paqen dhe ndërtuar shtetin, ne prisnim këshilla nga të tjerët dhe nuk dëgjonim se ç’na thoshte zëri ynë i brendshëm historik”, tha kryeministri Kurti.
Duke përmendur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës; kërkesën e drejtpërdrejtë për njohjen e Kosovës prej atyre shteteve që nuk e njohin ende shtetin e pavarur, marrjen e kontakteve të zhvilluara për të bërë të mundshëm anëtarësimin e Kosovës në Aleancat më të natyrshme për shtetin tonë, intensifikimin e marrëveshjet mes qeverive dhe realizimin e tyre me Republikën e Shqipërisë, kryeministri Kurti tha se sa i takon zhvillimit të brendshëm kemi vazhduar të investojmë në forcimin e ushtrisë dhe policisë së shtetit, kemi arritur rritjen ekonomike mbi 10% dhe kemi mbështetur bujqësinë e industrinë vendore, të varfërit e nevojtarët, e kemi ngritur Kosovën për të mirë për 17 vende me lart sa i përket edhe luftimit të korrupsionit edhe lirisë së medieve, kurse për sundim të ligjit jemi të parët në rajon.
“Jemi duke punuar fort në adresimin institucional të të kaluarës si dhe bërjen përgjegjëse të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë”, tha kryeministri, duke theksuar se përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është i dinjitetshëm, vleror dhe i dobishëm.
Prandaj, tha ai, në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, e duke kujtuar të kaluarën, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi që do të bëjmë më të mirën për të ardhmen e këtij vendi./21Media