Osmani: Kosova sa më parë të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 23-vjetorit të Ditës së Paqes, mori pjesë në Manifestimin Qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, i organizuar nën Patronatin e Presidencës së Republikës së Kosovës.
“Nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për gratë e dhunuara, për të zhdukurit me dhunë, sikurse edhe për të gjitha viktimat civile. Do t’i mbajmë gjallë rrëfimet për të gjitha ata që kontribuuan e sakrifikuan që ranë për liri dhe fati i të cilëve mbetet peng akoma për ta ruajtur kujtesën, por orientimin do ta kemi përpara sepse jemi popull që shikon dhe ecën nga e ardhmja gjithnjë duke e kuptuar që paqja nuk është e mundur pa drejtësi…Sot Evropa rilind në një Kosovë të integruar në familjen e BE-së, ky synim i yni nuk duhet të mbetet peng ndaj liberalizimi i vizave duhet të ndodh sa më parë e Kosova të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike, aty ku e ka vendin”, u shpreh Osmani.
“Kosova ka bërë hapa përmbajtësor drejtë të ardhmes së saj euro-atlantike, duke qenë një shtet i dominuar nga rinia, përpjekja jonë e vazhdueshme është që Kosovën ta shndërrojmë në vend ku ata e krijojnë dhe kanë perspektiven e tyre, këtë po e bëjmë çdo ditë, potenciali i rinisë kosovare është i jashtëzakonshëm, andaj atyre duhet t’u jepet dhe t’u krijohet mundësia”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani deklaroi se më 12 qershor 1999 erdhi liria, morën fund shtypja e vrasjet dhe zuri thellë krijimi i shtetit më të ri në botë.
“Shteti i Kosovës është projekti më i rëndësishëm i yni i ndërtuar mbi sakrifica të mëdha, por edhe projekti më i rëndësishëm i politikës amerikane-evropiane, si dhe i të gjithë atyre që u vunë krah nesh, krah lirisë e demokracisë. Sot jemi këtu jo për të mbetur pengë të historisë por për ta kujtuar të kaluarën tonë të lavdishme, për t’i kujtuar gratë dhe burrat e UÇK-së dhe gratë dhe burrat e Aleancës Veri-Atlantike, të cilët e bënë të mundshme realizimin e ëndrrës shekullore për liri e shtet”, ka thënë më tej Presidentja e vendit.
“Jemi këtu për të shikuar përpara dhe për të kujtuar figurat emblametike për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Do ta kujtojmë përherë përpjekjen diplomatike të urtë dhe këmbëngulëse të presidentit historik, Ibrahim Rugova për Kosovën shtet, do të jetojmë gjithnjë për heroizmin e komandantit legjendar, Adem Jashari me familje të cilët u bënë gurthemel të lirisë sonë“, shtoi Presidentja./21Media

Back to top button