Kurti: Po punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Qeveria është e përkushtuar dhe punon që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim.

Kurti gjatë tryezës së rrumbullakët organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve e Zyrës së Kryeministrit, në të cilën u diskutua për sfidat dhe mundësitë për komunitetin Ashkali përmendi të arriturat me rëndësi në këtë drejtim, si, miratimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Ashkali dhe Rom, 2022-2026, Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj Komuniteteve Ashkali, Rom dhe Egjiptian. Ndërsa, siç tha Kryeministri, në dy vitet e fundit, përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara, janë mbështetur të gjitha kategoritë sociale dhe komunitetet.

Ai theksoi se në këtë drejtim kanë miratuar strategjinë për avancimin e të drejtave të komuniteteve ashkali dhe rom, 2022-26.

Ndërsa, ka shtuar se me pakon për ringjalljen ekonomike kanë mbështetur rreth 800 mijë qytetarë.

“Për të përparuar si shoqëri është e domosdoshme që përparimi i vazhdueshëm të jetë i të gjithë qytetarëve pa dallim. Andaj, edhe qeveria jonë është e përkushtuar dhe punon që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim. Për të harmonizuar veprimet strategjike në këtë drejtim ne kemi tashmë disa të arritura të rëndësishme si, miratimi i strategjisë për avancimin e të drejtave të komuniteteve ashkali dhe rom, 2022-26. Për të parandaluar diskriminimin e kemi lansuar edhe platformën kombëtare për raportimin e keqtrajtimit, ndërsa në dy vitet e fundit Qeveria ka mbështetur të gjitha kategoritë sociale. Me Pakon për Ringjalljen Ekonomike kemi mbështetur rreth 800 mijë qytetarë, praktikisht çdo familje në vendin tonë”, tha Kurti.

Mes tjerash, Kurti tha se si qeveri po punojnë për krijimin e mundësive të barabarta me fokus në shkollim dhe punësim, siç tha ai, si kundërpërgjigje ndaj kërkimit të lëmoshës e martesave të hershme.

Në mbështetje të komunitetit ashkali, rom dhe egjiptian, ai tha se kanë ndarë bursa në vlerë prej 300 mijë euro.

“Qeveria po punon për krijimin e mundësive të barabarta me fokusim në shkollim dhe punësim. Prandaj, arsimin e lartë e kemi bërë pa pagesë për të gjithë studentët që t’i inkurajojmë të mos ndalen tek shkolla mesme, por të vazhdojnë studimet universitare. Për të mbështetur nxënësit e komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian kemi ndarë bursa në vlerë prej 300 mijë euro, me bursa po ashtu po mbështesim studentët nga komuniteti ashkali në Fakultetin e Edukimit në mënyrë që në të ardhmen të kemi sa më shumë mësimdhënës sa më të mirë nga komuniteti juaj… Zyra për çështje të komunitete ka mbështetur organizatat dhe mediat e komuniteteve”, vijoi Kurti.

Se ky takim është i rëndësishëm për t’i diskutuar sfidat me të cilat ballafaqohen komuniteti ashkali e tha edhe deputeti nga radhët e komunitetit ashkali, Bekim Arifi. Ai theksoi se kryeministri Kurti po e dëshmon që ky komunitet është i rëndësishëm për Kosovën.

“Falënderoj organizatat që na kanë mundësuar të merremi me këtë format, është kënaqësi të bashkohemi me ju e të flasim për sfidat e mundësitë për komunitetin tonë ashkali. Kryeministri vazhdimisht po e dëshmon që komuniteti ashkali është i rëndësishme për Kosovën me prezencën e tij në çdo event. Sot jemi ardhur këtu më shumë të dëgjojmë nga ju ide se çka mund të bëjmë së bashku”, tha ai.

Back to top button