Kurti: Policia qëndron në veri, nuk kthehet në jug

Pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe BE-së, për shtensionim të gjendjes në veri, 25 për qind e njësiteve të policisë së Kosovës u tërhoq nga afërsia e objekteve komunale, duke u zhvendosur në pjesë të tjera të komunave veriore.

“Pas pranimit të vendimit të Qeverisë nga ana e menaxhmentit të policisë, i njëjti është dërguar në terren për ekzekutim. Vendimi i Qeverisë së Kosovës ka filluar të zbatohet  dje dhe ka përfunduar sot”, tha Veton Elshani, zëvëndësdrejtor i policisë në Veri të Kosovës.

Para se dje të eskalonte dhuna në Kuvend, në një falim para deputetëve, Kryeministri, Albin Kurti, tha se Policia e Kosovës nuk do të tërhiqet nga veriu dhe se ajo s’ka qenë kurrë më e pranishme sesa tash në atë pjesë të vendit.
Ai shtoi se nuk do të heqin dorë asnjëherë nga zbatimi i ligjit dhe luftimi i krimit e kontrabandës.

“Nënkupton të kemi ndjeshmëri që në këto dy javët e fundit s’ka pasur as protesta të dhunshme, incidente dhe gjithashtu as sulme në veri të Kosovës. Rrjedhimisht s’kemi tërheqje të Policisë së Kosovës, të gjithë policët që janë në veri të Kosovës janë në veri të Kosovës, por kemi 25 për qind zhvendosje të Policisë nga ndërtesat komunale, por gjithnjë brenda veriut të Kosovës. Nuk dalin policia nga ndërtesat që të vijnë në jug”, tha Kurti.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se zvogëlimi i prezencës së policisë në dhe përreth objekteve komunale, është hap i duhur. Sipas tij, pjesa e mbetur e policisë është e majftueshme për zbatim të ligjit në veri.

“Mendoj që tërheqja 25 % e policisë nga pjesa e objekteve të komunave është i hap i mirë dhe ka nisur menjëherë në aspektin e sigurisë forcat do të jenë dikund në disponim gatishmëri që në rast se situata evulon ndërmarrin masa por njëkohësisht bohet edhe në palën e protestueseve  serb që edhe ata të bëjnë tërheqjen e pranisë dhe kërcënimin për sigurinë publike në këto komuna”. Po ata janë vlerësuar me kohë dhe për këtë ka ardhur deri të ky propozim 25% që i bie një e katërta. Policia ka potencial dhe mundësi që të jenë të koncentruar aty…”, deklaroi Ibishi.

Ndërsa njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku, vlerëson se në rast tensionimi të serishëm të situatës, prezenca aktuale e policisë në komunat veriore është e pamjaftueshme për të zbatuar ligjin.

“Kjo tërheqje është e planifikuar në varshmëri nga rrethanat dhe faktorët destabilizues. Niveli i tensioneve dhe kërcënimeve ka rënë dhe kjo interferon në tërheqjen e një pjese të policisë.. Në kushtet normale dhe përditshmërinë  tonë po, por nëse ka kërcënime edhe tensionim të shtuar natyrisht që me atë kapacitet nuk mund të përballet  pra në varshmëri nga rrethanat dhe kërcënimet dhe rreziqet eventuale ajo pjesë e veriut që vazhdimisht gjeneron pasiguri…”, tha Çollaku.

Reduktimi i policëve nga dhe rreth komunave në veri është pjesë e planit të dakorduar mes Kosovës dhe BE-së, për shtensionim të situatës në veri.

Hapi i dytë është monitorimi i situatës nga Policia e Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in, çka do të pasojë me reduktim edhe të mëtejmë të policisë dhe më pas mbajtja e parakohshme zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Hapi i fundit është zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe Ankesit të saj./21Media

Back to top button