Kurti: Politikanët e partive tjera janë zullumqarë

Kurti premtoi që do të ndërtojë 160 çerdhe për fëmijë dhe do të ndërtojë rreth 4 mijë banesa sociale

Kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti tha sot në Skenderaj se Drenica është e Adem e Hamzë Jasharit si dhe të të gjithë atyre që kanë kontribuar për çlirim e atdhe.

Kurti tha se do të kenë shumë punë sepse Kosova ka shumë papunësi e kjo po ndodh se partia të punëson e shpunëson.

Ekonomia, sipas tij është në duart e partive të cilat nuk kanë as program ekonomik e as politik.

“Por me Vetëvendosjen në qeverisje kemi alternativë dhe 40 pikat qeverisëse, të cilat bëjnë të rritjen e prodhimit vendor dhe punësimit të qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Ai ka quajtur politikanët e partive të tjera zullumqarë.

“Këta politikanë po i quaj zullumqarë, të cilët sa po janë të rinj po vjedhin me vllazni e kur po plaken me djemtë e tyne. Punësimi e biznesi sipas mbiemrave bjen me qeverinë e VV-së”, ka thënë Kurti, teksa u tregoi që 11 qershori është data për përfundimin e keqqeverisjes.

Kurti premtoi që do të ndërtojë 160 çerdhe për fëmijë dhe do të ndërtojë rreth 4 mijë banesa sociale.

Kandidati për deputet nga Skenderaj, Veton Seferi, tha se sot Vetëvendosjes i është bashkuar rinia sepse është e vetmja zgjidhje.

Ai u drejtua Albin Kurtit duke i thënë që ta ketë në konsideratë Drenicën sepse gjatë këtyre ditëve e ka kuptuar se sa nevojë ka Drenica për Vetëvendosjen.

Ndërsa kandidati për deputet që vjen nga fshati Açarevë i Skenderajt Rexhep Selimi, tha se vetëm Vetëvendosje i qëndron besnik idealit të Adem Jasharit.

Ai tha se Drenica nuk e lidh fatin me njerëz të dështuar, as me ata që abuzuan me Drenicën, e as me ata që ia kthyen shpinën pasi që e morën votën. Sipas tij Drenicën nuk mund ta përfaqësojnë ata që ia sollën Gjykatën Speciale UÇK-së.

Selimi tha se Drenicës do t’ia bëjnë një shërbim më 11 qershor ku do t’i ndajë njëherë e përgjithmonë të mashtruarit nga mashtruesit.

Back to top button