Kurti pret në takim ambasadorët, flasin për afatin 48 orësh

Pas zhvillimeve të fundit sa i përket çështjes së targave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim të përbashkët ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë, Olivier Guérot dhe Jörn Rohde.
Sipas një njoftimi për media nga Qeveria e Kosovës, thuhet se takimet e djeshme në Bruksel ishin temë qendrore e diskutimit me ç’rast kryeministri i ka njoftuar ambasadorët me qëndrimet e mbajtura dhe propozimet e dhëna të Republikës së Kosovës përgjatë tyre.
“Ai e ritheksoi se përmes pjesëmarrjes në takime të ftuara nga ndërmjetësuesit dhe propozimeve të saj, Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitetin, gatishmërinë dhe interesimin për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër dhe se për dallim nga Serbia, e konsideron si bazë të mirë propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Tutje u theksua nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një dakordimi brenda orëve të mbetura nga afati shtesë prej 48 orësh, ashtu që përafrimi i djeshëm në Bruksel të rezultojë në pajtueshmëri të përbashkët./21Media

Back to top button