Kurti pret në takim eurodeputetët të udhëhequr nga Viola Von Cramon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pritën në takim një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga përfaqësuesja për Kosovën në parlament, Viola von Cramon.
Kurti falënderoi europarlamentarët për angazhimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe tek pesë vendet mosnjohëse, për përkrahjen dhe votimin për liberalizimin e vizave dhe për mbështetjen me vaksina përmes COVAX.
Po ashtu kryeministri u shpreh mirënjohës për vizitën dhe për gatishmërinë për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor për komunat që mbahet nesër, më 17 tetor.
Ai shprehu besimin që edhe zgjedhjet lokale nesër do të zhvillohen paqësisht dhe me pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve.
Sipas një komunikate për media nga zyra e kryeministrit bëjnë me dije se europarlamentarët u interesuan për operacionin e Policisë së Kosovës, të datës 13 tetor dhe Kurti shpjegoi se ishte operacion kundër kontrabandës dhe kriminalitetit dhe përfshinte 26 lokacione të ndryshme në gjithë territorin, 5 nga to në Mitrovicën Veriore.
“Ky ishte një operacion normal i Policisë, e cila ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe sipas procedurave ligjore”, tha ai.
Lidhur me interesimin e eurodeputetëve për bisedimet me Serbinë, Albin Kurti tha se nuk kanë alternativë, por duhet kuptuar se as njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia nuk ka alternativë.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Bislimi foli për mbarëvajtjen e negociatave për zgjidhjen e përkohshme për targat dhe pritjet për gjetjen e zgjidhjes së përhershme.
Përfaqësuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon falënderoi institucionet e Kosovës për pranimin dhe ndihmën e ofruar për refugjatët afganë, si dhe i përgëzoi për reformat e nisura në drejtësi, përkushtimin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për ruajtjen e stabilitetit institucional.
Tutje, kryeministri Kurti kërkoi nga deputetët e Parlamentit Evropian që të jenë më të zëshëm në mbështetje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave e të mendimit në Ballkanin Perëndimor dhe ritheksoi se nuk duhet të ketë fonde të BE-së pa pranimin e vlerave të BE-së./21Media

Back to top button