Kurti priti në takim ish-eurodeputeten Doris Pack
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ish-deputeten e Parlamentit Evropian, Doris Pack, të cilën e falënderoi për kontributin shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës.
Sipas një komunikate për media nga zyra e kryeministrit, ish-eurodeputetja Pack, përgëzoi Kurtin për marrjen e detyrës dhe për frymën e re që sollën zgjedhjet e fundit.
Po ashtu Pack ritheksoi mbështetjen e saj për Kosovën dhe rajonin, në përpjekjet për paqe, siguri dhe integrim në Bashkimin Evropian.
Tutje thuhet se në këtë takim u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe prioritetet e qeverisë për zhvillim ekonomik dhe tërheqje të investimeve nga jashtë. Po ashtu, u diskutua për të arriturat gjatë këtyre 100 ditëve të qeverisjes si dhe takimin e 15 qershorit në Bruksel mbi kapitullin e ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kurti theksoi planet e qeverisë lidhur me sistemin e edukimit dual dhe mundësitë e bashkëpunimit me shtetet evropiane dhe mërgatën tonë nga shtetet gjermanofolëse, si dhe sjelljen e përvojave të mira për kontekstin e Kosovës./21Media