Kurti priti në takim presidentin Meta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e vizitës në Kosovë në përfundim të mandatit të tij.
Meta po qëndron në Kosovë me ftesë të presidentes, Vjosa Osmani, nga e cila është pritur me ceremoni shtetërore.
Pas takimit me Osmanin, Meta është takuar me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, e më pas u është adresuar me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Meta tha se Kosova duhet të merret shembull nga vendet e rajonit përfshirë edhe Shqipërinë për zhvillimin në 14 vitet e pavarësisë. Ai këto deklarata i bëri gjatë fjalës së tij para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
“Gjithçka e lidh Kosovën dhe Shqipërinë, gjuha, historia, interesat. Jemi krenar që kemi zgjedhur të jemi në anën e duhur të historisë, pro NATO-së dhe Bashkimit Evropian. Shqipëria kremton 110 vjetorin e pavarësisë këtë vit, por mundet veç të marrë shembull të ushtrimit të demokracisë në Kosovë. Kosova është gjithnjë e më shumë një faktor i rëndësishëm në rajon”, tha ai.
Duke quajtur të padrejtë mosliberalizimin e vizave për Kosovën ai apeloi që kosovarëve të iu mundësohet lëvizja e lirë. “Ato pesë vende anëtarë të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovë, duhet të dinë një gjë, që Kosova është rast ‘sui generis’, nuk mund të tërheqin paralele me asnjë vend tjetër”, tha ai.
Pas fjalimit të së Metës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e falënderoi atë në emër të të gjithë deputetëve dhe mbylli seancën./21Media

Back to top button