Kurti priti një delegacion të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë: ShBA, aleat i yni kyç

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot një delegacion të gjerë të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë. Marrëdhëniet Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtrihen në sferën historike, ekonomike, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Para ambasadorëve dhe mysafirëve të tyre, siç u bë e ditur nga qeveria, Kurti tha se ShBA-të janë partner, mik dhe aleat kyç i Kosovës.

Ai i njoftoi ata për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet dy vendeve, duke veçuar këtu marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarë me MCC-në të nënshkruar në vitin e kaluar dhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

“Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti po ashtu veçoi katër fushat të cilat janë trajtuar me prioritet në buxhetin e vitit 2023; mbrojta, edukimi, bujqësia dhe shëndetësia, teksa iu përgjigj interesimit të ambasadorëve për to.”, u bë e ditur në komunikatë.

Ambasadorët e përgëzuan kryeministrin dhe Kosovën për arritjet. Në mesin e tyre, ish-ambasadori amerikan, Thomas Riley, i cili tha se i vjen shumë mirë që qeveria jo vetëm që po përpiqet, por edhe po ka sukses.

Gjithashtu, Kurti i informoi anëtarët e delegacionit vizitues me zhvillimet e fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me dakordimin mbi Marrëveshjen bazë dhe planin e zbatimit, sjelljen dhe veprimet e Serbisë karshi tyre dhe me qëndrimet dhe propozimet e Republikës së Kosovës në takimin e javës së kaluar në Bruksel.

Vizita e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë u organizua nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, përfaqësues të së cilit ishin po ashtu prezentë në këtë takim.

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është shoqatë e ambasadorëve amerikanë me gjithsej 200 anëtarë, të cilët së bashku kanë shërbyer për mbi gjashtë dekada dhe për njëmbëdhjetë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Konjufca takoi diplomatët amerikan

Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit të Serbisë dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai ka pritur në takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy A. Chorba.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një takim me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit, ka thënë se Kosova nuk do të pranojë modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët në dialogun Kosovë-Serbi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, tha ndër të tjera Konjufca, bëhet e ditur në një komunikatë për media.

Back to top button