Kurti: Propozimi për marrëveshje të paqes u refuzua

 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në takimin e sotëm me kryeministrin serb, Aleksnadar Vuçiq, iu refuzua propozimi për një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u refuzua. U refuzua ende pa u lexuar dhe kjo për mua tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje”, tha Kurti.
Ai tha se propozimi i tij në çështjen e zotimit për të pagjeturit u pranua me butësi nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, por që u refuzua nga presidenti serb.
Kurti tha se çështje e të pagjeturve është çështje nga e kaluara dhe se nuk e kupton Vuçiqin, i cili tha se nuk pranoi që togfjalëshi “ballafaqim me të kaluarën” të përfshihet në zotimin për të bërë gjithçka për të pagjeturit.
“Ishim dakord që në fund të gushtit të takohen përfaqësuesit e delegacioneve tona dhe në shtator, të ketë takim mes krerëve tanë. Nuk e kuptoj pse duhet t’i frikësohemi ballafaqimit të së kaluarës, kur e dimë që problemet i kemi nga e kaluara. Është për të ardhur keq që nuk arritëm një marrëveshje të përbashkët. Pala serbe e kundërshtoi shumë ashpër atë”, ka thënë Kurti.
Duke folur për atmosferën e takimit, Kurti deklaroi se ishte pothuajse e njëjtë nga takimi i kaluar, ngase nuk është pranuar togfjalëshi “ballafaqimi me të kaluarën”.
“Insistuam aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe fjalia ‘ballafaqimi me të kaluarën. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë. Unë nuk e kuptoj se pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë përballjes me të kaluarën. Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Back to top button