Kurti pyetet për një mandat të ri të Vjosa Osmanit: Presidenti duhet të jetë figurë konsensuale, fokusi nuk është te emrat

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit të ardhshëm duhet të zhvillohet në përputhje me frymën dhe germën e Kushtetutës, duke theksuar se kreu i shtetit duhet të jetë një figurë që përfaqëson unitetin dhe gëzon mbështetje sa më të gjerë politike.
Mbrëmë pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, Kurti u pyet nëse është diskutuar mundësia e një mandati të ri për Osmanin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai nuk komentoi për emra konkretë, duke thënë se diskutimet aktualisht janë përqendruar në sigurimin e konsensusit të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
“Fryma dhe germa e Kushtetutës është për president që është shprehje e unitetit të popullit dhe që, në këtë kuptim, duhet të jetë konsensual”, tha Kurti.
Sipas tij, sfida kryesore është sigurimi i numrit të nevojshëm të deputetëve në seancën ku do të votohet presidenti, pasi kërkohen së paku 80 deputetë të pranishëm.
“Përqendrimi ynë nuk ka qenë tash për emrat e përveçëm për president, por për konceptin e përparimeve, për vizionin përpara dhe për atë se çfarë duhet të bëjmë strategjikisht që ta maksimizojmë numrin e deputetëve të cilët duhet të jenë së paku dy të tretat në ditën vendimtare kur do të vihet çështja e zgjedhjes së presidentit”, u shpreh ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?