Kurti reagon pas deklaratave të Escobarit për mundësinë e konfliktit rajonal

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në lidhje me deklaratat e emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se ka potencial për “konflikt rajonal”, ka thënë se emisari duhet të pyetet se cilat shtete tjera pos Kosovës e Serbisë ka menduar kur ka dhënë atë deklaratë.

“Unë di shumë gjëra, por jo aq shumë. Do të duhej ta pyesni emisarin Escobar kur ka folur për konflikt rajonal për cilat shtete pos Kosovës e Serbisë ka menduar. Mali i Zi s’e besoj, Maqedonia e Veriut po ashtu. Kryeministri Rama ka kërcënuar Beogradin, ndoshta. Por do të duhej ta pyesni emisarin Escobar për këtë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se asnjë diplomat nuk duhet të ketë mëdyshje se kë të mbështesë për situatën në veri.

Kurti i gatshëm të shkojë në takimin e Brukselit 

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është i gatshëm të shkojë në Bruksel për takim me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. Kurti tha se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Bashkimit Evropian për takim të nivelit të lartë gjatë kësaj jave, siç tha ai për t’iu dëshmuar agresionin serb në Kosovë pas rrëmbimit të tre policëve.

Ai tha se de-eskalimi i situatës që po e kërkojnë ndërkombëtarët, nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre policëve kosovarë dhe dënimin e agresionit serb nga bashkësia ndërkombëtare.

“Do të komunikoj edhe me Brukselin dhe po, jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, në mënyrë që të paraqesë hollësisht të gjitha këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë që de-eskalimi i situatës që po kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të tre policive dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë. Ndërkaq, normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm, pa kushte dhe të plotë të marrëveshjes bazike. Jam shumë i interesuar që ta paraqes gjithë dokumentacionin e Kosovës për këtë krim që është bërë ndaj tre policëve, ndaj familjeve të tyre dhe Republikës sonë. De-eskalimi drejt paqes nënkupton drejtësi dhe ne duam drejtësi edhe ndërkombëtare, jo veç vendore, atë vendore e bëjnë organet tona”, tha Kurti.

Në konferencë për media të martën, Kurti përsëriti qëndrimin e tij se për themelimin e Asociacionit fillimisht duhet të ketë pajtim për parimet e tij, pastaj ai do të shkruante draft-statusin e tij.

“Sa i përket zbatimit të marrëveshjes bazike e ka në qendër njohjen reciproke de facto, e kuptoj që neni 10 i referohet të gjitha marrëveshjet të deri më tanishme, por ende më e rëndësishme është neni 7 që flet për vet menaxhimin e komunitetit serb. Unë kam ofruar që ta bëjmë draftin për këtë gjë, por duhet të pajtohemi me parimet. Nuk mund të shkruajmë tekste të zhanreve e kuptimeve ekstremisht të kundërta sepse nuk zgjidhet asgjë. Duhet të pajtohemi për frymën dhe karakterin e tekstit, dhe lirisht e shkruaj atë draft-status. Problemi është që presidenti i Serbisë i ka rënë pishman që ka thënë po marrëveshjes bazike, andaj janë gjithë këto kriza. Ai në një konferencë për media, ai ka shkelur në mënyrë kapitale dyfish marrëveshjen, tash kemi këto probleme që njëra palë nuk dëshiron t’i zbatoj. Andaj, në zbatimin e saj nuk mund ta vendosim “qerren para kuajve. Prandaj, dua të kemi takim të nivelit të lartë, ku sekuencimin e balancuar dhe fer e trajtojmë me seriozitet”, shtoi ai.

Duke komentuar deklaratat e emisarit të ShBA-ve, Gabriel Escobar, se në rajon ka liderë që mbijetojnë përmes krizave, Kurti tha se nëse i interesojnë dikujt krizat dhe lufta atëherë është Beogradi zyrtar.

“Se kah mund të shkojë kriza në veriun e Kosovës nëse nuk de-eskalon nuk mund ta dijë sot, por e di që eskalimi është pasojë e drejtpërdrejt e përzierjes së Beogradit në punë të brendshme të Kosovës, herë me politikan që rrinë afër me krimin e organizuar, herë me krimin e organizuar që synon të politizohet, por qartazi faktorin dhe burimin e eksalimit do ta gjeni atje. Nëse ka të drejtë emisari amerikan, Escobar, atëherë adresa ku do duhej të merreni është me siguri Beogradi. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë mbijetese të Qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe para zhvillimeve në veri dhe pas tyre, Qeveria e ka retingun rekord në Kosovë. E keni keqkuptuar, sepse emisari evropian Lajçak do ta ketë pas për Vuçiqin, sepse atje ka demonstrata me dhjetëra, mijëra qytetar. Nëse i interesojnë dikujt krizat, gjakderdhjet e lufta është Beogradi. Atje ka demonstrata kundër pushtetit që kërkojnë dorëheqjen e presidentit dhe aty mund të ketë interes që të mbijetohet kriza. Në Kosovë ka krizë për rendin dhe ligjin në veri dhe jo për qeverinë, kjo nuk vlen për mua”, theksoi Kurti.

Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se për disa tema nuk pajtohem plotësisht me partnerët ndërkombëtar, por në thelb për temat si siguria afatgjate në rajon janë të një qëndrimi.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm për të gjitha temat që na shqetësojnë edhe ne si institucione të Kosovës por edhe partnerët tanë. Është e vërtetë që për disa tema ndoshta nuk pajtohemi plotësisht, por në bazë pajtohemi për të gjitha temat, ato janë paqja dhe siguria afatgjate në rajonin tonë. Entuziazmin për njohje të reja në dy vite të qeverisjes nuk është se e kam parë, jemi përpjekur në te gjitha mënyrat tona dhe do të vazhdojmë me këmbgulje së bashku me partneret tanë të gjejmë rrugët për të realizuar njohje të reja. Njohjet e reja, në fakt ndonjë entuziazëm i madh përveç pesë shteteve të BE-së edhe nuk është se mund të pritet nga opinioni, sepse ato shtete të cilat nuk kanë pasur pengesa për të njohur Republikën e Kosovës e kanë bërë këtë gjatë 15 viteve të kaluara. Nuk është habi që ky entuziazëm nuk do të jetë prezent as gjatë debateve dhe diskutimeve që kemi gjatë këtyre ditëve. Është detyrë e jona të vazhdojmë përpjekjet tona, sot ka qenë bisedat fundit që kam zhvilluar për njohjet e reja, nuk ndalemi në atë drejtim”, tha Gervalla.

Gërvalla: Policët e rrëmbyer u sulmuan dhe u çarmatosën nga rreth 15 pjesëtarë të forcave serbe

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dhënë detaje lidhur me vizitën e ambasadorit të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, te tre policët kosovarë të rrëmbyer që po mbahen në paraburgim në Kralevë të Serbisë.

Gërvalla në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti këtë të martë, ka thënë se gjatë rrëmbimit të policëve, forcat serbe kanë shkrepur armët në ajër për të shkaktuar panik te zyrtarët policorë dhe për ta bërë më të vështirë rezistencën e tyre.

“Sot ambasadori Jetish Jashari, drejtues i zyrës ndërlidhëse në Beograd, ka realizuar vizitën te policët e rrëmbyer. Vizita është realizuar në qendrën e paraburgimit në Kralevë ku ata po mbahen nën akuzën tashmë vetëm për armëmbajtje pa leje. Takimet janë mbajtur të ndara nga 15 minuta secili. Secili prej oficerëve policorë ka përshkruar ngjarjen që nga momenti i kapjes deri te dalja para gjyqtarit të procedurës paraprake. Më 14 qershor rreth orës 12:30, duke ngrënë drekën papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona të informuar që më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Serbisë dhe të armatosur që i kanë sulmuar dhe çarmatosur, e më pas me thes në kokë i kanë dërguar te makinat e tyre. Z.Sefa ka theksuar se disa nga këta pjesëtarë kanë shkrepur armët në ajër për të shkaktuar panik te zyrtarët policorë dhe për ta bërë më të vështirë rezistencën e tyre. Në momentin e kidnapimit tre policët kanë qenë duke ngrënë drekë. Pas kidnapimit ata janë dërguar fillimisht në Rashkë e më pas rreth një ore kanë ardhur forca të tjera dhe i kanë dërguar në Beograd”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka shtuar se gjatë ndalimit 48-orësh, ata kanë bërë të ditur se nuk janë keqtrajtuar fizikisht, mirëpo nuk u është dhënë ushqim i mjaftueshëm.

“Gjatë kësaj periudhe 48-orëshe nuk janë keqtrajtuar fizikisht, por nuk i është dhënë ushqim i mjaftueshëm, pra nuk i është dhënë më shumë se një copë bukë. Ata tani janë të vendosur në dhoma të veçanta, tek e tek, dhe nuk kanë qasje as në televizion apo diçka tjetër. Z.Shemë Mustafa ka njoftuar se ende i mungojnë medikamentet bazike që i përdor rregullisht për gjendjen e tij shëndetësore dhe kjo po ia vështirëson gjendjen e tij në burg. Atyre u është thënë se do të mund të vizitohen nga familjarët e tyre të premten”, ka thënë ajo.


Kurti: Ambasadori Jashari i ka vizituar policët, ata janë rrëmbyer duke ngrënë bukë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Jetish Jashari nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, sot i ka vizituar policët e rrëmbyer.

Këtë të martë Kurti tha se policët ishin rrëmbyer pranë një tryeze të improvizuar brenda territorit të Kosovës, duke ngrënë bukë.

“Përshkrimi i policëve është i njëjtë se si ka ndodhur rrëmbimi. Ata thonë se kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, e 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar e kidnapuar. Që të tre thonë rrëfimin e njëjtë kur pyetën ndaras nga ambasadori ynë. Kjo heq dilemën…Serbia ka zhvilluar agresion më 14 qershor. Policët ishin në nivel të detyrës, në luftim të kontrabandës, aty ku është mbyllur një nga 15 rrugët e kontrabandës”, tha Kurti.

Ai tha se policët duhet të lirohen menjëherë, pa kushte e të pacenuar, derisa ftoi SHBA-në e Bashkimin e Evropian ta dënojnë rrëmbimin.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë arrestimi në Serbi, bëhet fjalë për rrëmbim në Kosovë. Jemi në komunikim me Zyrën Ndërlidhëse në Serbi”, tha ai./21Media

Back to top button