Kurti: Nuk arsyetohet mosveprimi i organeve të drejtësisë për rastet e dhunës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk arsyetohen mosveprimet e organeve të drejtësisë në rastet e dhunës në familje, duke shtuar se dhuna gjykohet e dënohet.
Në një tryezë diskutimi për dhunën, Kurti ka thënë se Qeveria aktuale ka treguar veprimet konkrete kundër dhunës në baza gjinore e në familje.
“Këtë vit për herë të parë institucionet e Kosovës po i organizojnë 16 ditët e aktivizmit. Qeveria jonë ka treguar veprime konkrete kundër dhunës në baza gjinore e në familje. Pikërisht në ditën e hapjes së fushatës, një mësimdhënëse u vra barbarisht nga bashkëshorti i saj, brenda mureve të shtëpisë. Nuk mund të lejojmë që dhuna e këtillë brenda familjes të përsëritet. Përmes aktivizmit shoqëror e kemi obligim ta parandalojmë dhunën në familje. Duhet të dërgojmë mesazhin se dhuna gjykohet e dënohet. Më duhet të arsyetoj edhe mungesën e paarsyetuar të gjyqtarëve e prokurorëve të cilët luajnë rolin kyç kundër dhunës. Para se te vija në Pejë u takova me z. Savioli (raportues special i Kombeve të Bashkuara v.j.). Njoftimi i z. Savioli për mua ishte se Prokuroria Speciale për ndjekjen e krimeve të luftës, nuk ka hasur mirëkuptimin ta takojë. Pra, nga Prokuroria nuk kanë dashur të takohen me z. Savioli. Kjo nuk i bën nder as shtetit as, prokurorëve, as askujt. Nuk ka gjë që mund ta arsyetojë mosveprimin kur vjen puna deri tek organet e drejtësisë të cilat paguhen për këtë punë”, ka shtuar ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se gjyqtarët dhe prokurorët “do të duhej të ishin në krye të detyrës për t’i luftuar këto raste”.
“Sa herë kemi pasur raste të tilla të dhunës në familje kemi parë që ka dështuar një hallkë e shtetit. Shumicën e herave ka qenë Prokuroria ajo, por edhe Gjykata me dënime të vogla”, ka thënë ajo.

Back to top button