Kurti: Serbia mund të ketë marrë shumë mallra e armë, por asnjëherë themelin e qytetërimit perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia mund të ketë marrë shumë teknologji, mallra, industri dhe armë, po asnjëherë themelin e qytetërimit perëndimor duke përfshirë “demokracinë dhe liritë njerëzore si themeli i prodhimit, i tregtisë, i politikës dhe mënyrës së jetesës së atij qytetërimi”.
Kurti ka theksuar se gjeopolitika nuk është vetëm materiale.
“Ju po e kuptoni se qeveria e shoqëria, shteti e populli beson dhe pret shumë nga ju nga gjithnjë së bashku. Ju jeni media më speciale e shtetit të Kosovës dhe e elementit të popullit tonë në botë. Ju dispononi shumë të drejta, mbi të gjitha përdorimin e aftësive tuaja. Duke qenë në një vend të huaj, me imunitetin tuaj, ju mund të takoni çdo element përbërës të gjeopolitikës dhe ekopolitikës të vendit pritës”, ka thënë ai.
Ai deklaroi kështu gjatë fjalimit të tij në Konferencën e gjashtë të Ambasadorëve të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Shefi i Qeverisë shtoi se duhet të bëjmë betejë me detaje që të jemi në të përditshmen e tregut të ligjërimit të tyre. Ne duhet ta fusim lëndën tonë në të vërtetën e tyre.
“Në aspektin gjeopolitik, ky kundërshtar i yni i madh i premton të gjithë perëndimorëve, por qëndron me rusët deri në fatalitet dhe luan me dyfishësinë e Kinës. Serbia nuk mund ta tradhtojë lehtë Rusinë pa pësuar një transformim rrënjësor. Sepse ajo e sheh veten si projekt të pushtimit sllav në vazhdimësinë e shekujve. Këto dy sende duhet t’ua themi me kujdes dhe me durim perëndimorëve që njohim e që i takojmë. Mjafton t’ua shpiem në mend dhe ata e kontrollojnë vetë vërtetësinë pastaj. Mjafton t’u tregojmë se ekstremet e tyre janë më larg Kosovës, dhe ata do të kuptojnë se qendra e majtë dhe e djathtë ka shumë, shumë arsye ta mbrojë Kosovën dhe kurrsesi të shpreh simpati për Serbinë. Duhet t’ua paraqesim ne argumentet kundër ekstremeve të tyre, ekstremeve në shtetet e tyre. Duhet t’iu themi se Jugosllavia e atëhershme si platformë për Serbi të Madhe, ky ish prijës i vendeve të paangazhuara, ndërtohej i tëri mbi dhunimin e shqiptarëve. Dhe t’iu japim shifra, dhe t’iu japim artikuj, dhe t’iu japim libra. E më pas t’iu themi se kjo ëndërr e tregoi se mbi ç’sakrificë ndërtohej. Andaj edhe tretja e saj prodhoi katër luftëra dhe atë masë të madhe krimi e gjenocidi”, njofton Zyra e Kryeministrit.
Albin Kurti theksoi se duhet t’iu themi se “ata që dje ishin kriminel lufte, sot janë anëtarë kartelesh, se ndëshkimi i kriminelëve ishte përgjithësisht një flluskë.
“Nuk janë serbët të dhunuar në Kosovë nga shteti i Kosovës, por vet Oliver Ivanoviçi i vrarë nga strukturat kriminale serbe. Kriminelët e tyre të liruar para kohe po arrestohen së dyti si kriminelë kartelesh droge”, ka thënë Kurti.
”Ju sigurisht ndiqni mediet vizive dhe të shkruara në vendet ku shërbeni. Nuk duhet të ngurojmë të dërgojmë nota proteste kur bëhet fjalë për mashtrime në lajmet e tyre. Nëse ata shohin se ne i kundërshtojmë kur fabrikojnë lajme të rreme, ata do të na respektojnë dhe do të kërkojnë lidhje të rregullta me institucionet tona, më së pari me ju”, ka shtuar ai./21Media

Back to top button