Shërbimet sekrete ruse ‘operojnë’ në veri të Kosovës

Qeveria në Kosovë thotë se prapa përpjekjeve për destabilizim të Kosovës në pjesën veriore të saj, qëndron një plan serbo-rus. Një numër protestuesish serbë, të organizuar pas thirrjes së grupit famëkeq rus Wagner, provuan gjatë fundjavës të hyjnë në territorin e Kosovës, por u ndaluan nga forcat serbe të sigurimit. Ekspertë të sigurisë në Kosovë thonë se në pjesën veriore të vendit po veprojnë struktura ruse të lidhura me shërbimin intelegjent ushtarak rus.
Kryeministri Kurti e cilësoi protestë politike një përpjekje të një grupi të organizuar të serbëve nga Serbia nga një formacion famëkeq rus, Wagner, gjatë fundjavës së kaluar. Protesta kaloi me përplasje të protestuesve me forcat serbe të sigurimit të vendosura në anën tjetër të kufirit me Kosovën.
“Nuk mund të them që bëhet fjalë për protestë civile atëherë kur ka njerëz të armatosur aty të cilët dëshirojnë që të kthehet Kosova në vitin 1999, dhe të cilët mbajnë edhe parulla e fotografi të presidentit despotik Putin. Pra, ata të cilët dëshirojnë që Serbia të jetë Rusi dhe në të njëjtën kohë synojnë që ta destabilizojnë Kosovën do të dështojnë gjithmonë ashtu siç dështuan edhe dje”, tha Kurti.
Autoritetet në Prishtinë prej kohësh kanë paralajmëruar se ndikimi rus në Ballkan dhe posaqerisht në pjesën veriore të Kosovës është rritur.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shkroi në rrjetin e tij social se protestat në veri në fundjavë kishin një plan ruso-serb që të digjej pika kufitare e Jarinjës
Rritja e tensioneve në veri thonë përfaqësues politikë në Prishtinë është bërë përmes përfshirjes ruse që po kërkon ndikim më të madh në Ballkan. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Haki Abazi, u shpreh se Rusia po përpiqet që përmes Serbisë ta lehtësojë ndikimin e saj.
“Historikisht pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s ekipet e para ushtarake kanë hyrë nga Rusia drejtë aeroportit. Kjo është tendencë e njëjtë që Rusia të mos e largojë interesin e saj nga Ballkani, sidomos nga pjesa ku janë duke banuar shqiptarët , pra, në forma të ndryshme ka provu me ushtru ndikimin e vetë”, tha ai.
Ekspertët e sigurisë thonë se pas ndërhyrjeve të fundit nga Rusia në veri të Kosovës, situata, ka mundësi që të përshkallëzohet edhe më shumë.
Bedri Elezi, thotë se në zonat në veri të vendit janë shfaqur forcat sekrete ruse.
“Fatkeqësisht po ndodh ajo për të cilën kemi paralajmëruar. Në atë zonë janë duke shërbyer forcat sekrete ruse të cilët janë struktura ushtarake në mbështetje nga shërbimi inteligjent ushtarak GRU. Kemi parë së fundi një tentim të këtyre grupeve për tu futur në Kosovë për të kaluar kordonët policore dhe dyshohet që këto grupe kanë arritur të hyjnë brenda vendit”, tha Elezi.
Nuredin Ibishi, ndërkaq thotë se qëllimi parësor i Rusisë është largimi i vëmendjes nga lufta në Ukrainë.
“Ne kemi paralajmëruar qysh më herët, jo vetëm në aspektin e intlegjenës ruse FSB dhe GRU forcat ushtarake ku këto forcat ushtarake janë duke vepru në Kosovë ku tash së fundi kemi një veprim në kufi të Kosovës ku ekstremisti serb i organizatës ultra të djathtë Knezheviq kishtë disa parulla dhe emblema të Wagnerëve. Kjo tregon direkt një angazhim paramilitar rus. Ky është një parajmërim i putinit që si qëllim e ka largimin e mendjes nga lufta në Ukrainë dhe të bëjë një miniaturë të Putinit në Ballkan”, tha Ibishi.
Një numër i pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, të misionit të BE-së për sundimin e Ligjit dhe Policisë së Kosovës janë përfshirë në vendosjen e sigurisë në pjesën veriore të vendit, që ka prej më shumë se dhjetë ditësh që është bllokuar nga barrikadat./21Media

Back to top button