Kurti shfaq interes për përvojat e Irlandës Veriore në bashkimin e komuniteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehet i lumtur që u takua me Sekretarin e Shtetit të Irlandës Veriore, Chris Heaton-Harris në Kështjellën Hillsborough.

Kryeministri i Kosovës Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën prej dekadash, gjatë takimit me ekretarin e Shtetit të Irlandës Veriore, Chris Heaton-Harris në Kështjellën Hillsborough.

Zyra e Kryeministrit njofton se ai foli mbi sfidat dhe mundësitë që i ka Kosova si një shtet multigjuhësor e gjithëpërfshirës.

“ Kryeministri theksoi angazhimin e përkushtimin e Qeverisë sonë për integrimin e komuniteteve joshumicë, sidomos në institucionet shtetërore.Në lidhje me ballafaqimin me të kaluarën, Sekretari Heaton-Harris tha se është e rëndësishme që e kaluara të kujtohet, por edhe të ndërtohet mbi të, për një të tashme e të ardhme më të mirë, veçanërisht për të rinjtë dhe gjeneratat e reja të cilat duan prosperitet, pavarësisht se nga cili komunitet vjen.”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

“Kryeministri përmendi trysninë dhe kërcënimet me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë, dhe veçanërisht zyrtarët policorë të këtij komuniteti, nga Beogradi zyrtar. Kryeministri evidentoi se qytetarët serbë të Kosovës duan të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur si të gjithë qytetarët e tjerë të shtetit. Ata bashkëpunojnë me policinë në veri të Kosovës për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive kriminale që ndikojnë negativisht në jetën e tyre të përditshme.”

“Në dritën e këtij diskutimi, por edhe më gjerë, rreth sfidave me të cilat përballet vazhdimisht shteti ynë, kryeministri Kurti shfaqi interesin për të dëgjuar më shumë për përvojat e Irlandës Veriore në bashkimin e komuniteteve. Palët theksuan gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në fusha si ekonomia, kultura dhe teknologjia.”, thuhet në njoftim

Bëhet e ditur se në përfundim të takimit, kryeministri e falënderoi sekretarin Heaton-Harris për bisedën miqësore, idetë e ndara dhe përvojat e shkëmbyera./21Media

Back to top button