Kurti shpërbleu nxënësit e suksesshëm në matematikë e fizikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është shumë i gëzuar për suksesin e nxënësve në gara të matematikës dhe të fizikës.
“Sot jam shumë i gëzuar që ju si matematikanë dhe fizikanë të rinj keni fituar vendet e para, të dyta dhe të treta, siç keni fituar medalje të artë, argjendtë e të bronztë, e shpërblime të tjera në gara vendore e ndërkombëtare”, tha Kurti në fjalën e hapjes së ceremoninë së ndarjes së shpërblimeve për nxënësit e shkollave të Kosovës.
Ai se shpreson që këto shpërblime të jenë nxitje shtesë për nxënësit që të vazhdojnë të ndjekin prirjet dhe pasionet e tyre, dhe që mësimet shkollore dhe dijet e marra t’i përkthejnë pastaj në shpikje të vyera, inovacione kreative dhe metoda funksionale, kudo që do të punojnë në të ardhmen.
Sipas tij, Qeveria dhe institucionet tjera janë të fokusuara për plane e programe më të mira, për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të rinjtë e të rejat, për të tashmen, por edhe për të ardhmen e vendit tonë.
Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Kurti së bashku me ministren Arbërie Nagavci, ndanë shpërblime për sukseset e treguara të nxënësve në gara të matematikës dhe të fizikës, përfshirë Olimpiadën Kombëtare të Matematikës, Garat Republikane të Fizikanëve të Rinj, Olimpiadën e Matematikës Kosovë – Shqipëri, Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare, Math Kangaroo dhe Kupën Matematike Evropiane./21Media

Back to top button