Kurti: Shpirtërisht jemi pranë familjes Zymberi në këto ditë pikëllimi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një telegrami, ka ngushëlluar familjen Zymberi për ndarjen nga jeta të Sevdije Zymberit, nënës së heroit Enver Zymberi.
Kurti ka thënë se sakrifica dhe qëndresa e familjes Zymberi, mbeten frymëzim për të gjithë ata që punojnë e angazhohen për atdheun.
“E nderuara familje Zymberi, jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të znj. Sevdje Zymberi, nënës së heroit Enver Zymberi. Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Kur dhembja dhe mungesa e më të dashurve tuaj sa vjen e shtohet, shpresoj të gjeni forcën te kujtimet për znj. Sevdije dhe të dashurit tuaj, Bacën Rremë e Enverin. Sakrifica dhe qëndresa e familjes suaj, mbeten frymëzim për të gjithë ata që punojnë e angazhohen për atdheun. Shpirtërisht jemi pranë Jush në këto ditë pikëllimi”, thuhet në telegram ngushëllimi.
Enver Zymberi ishte polic i Njësisë Speciale të Forcave Policore të Kosovës që nga viti 2002. Ai u vra me 26 korrik 2011 në Leposaviq, afër pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Ai u qëllua gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në pjesën veriore të vendit, në të cilën kontrabanda kishte shtrirë rrënjët që nga paslufta./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?