Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-komandantit të KFOR-it, gjeneralit Klaus Reinhardt

 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet një telegrami ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-komandantit të Misionit të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjeneralit Klaus Reinhardt.
Vdekjen e gjeneralit Reinhardt e ka vlerësuar humbje jo vetëm për familjen, miqtë e bashkëpunëtorët e tij, por edhe për popullin e Kosovës.
“Roli dhe kontributi i gjeneralit Reinhardt në ruajtjen e paqes e sigurisë në vitin e parë të pasluftës në Kosovë është i pamohueshëm”, ka thënë kryeministri.
Në telegramin drejtuar ambasadorit të Gjermanisë, Joern Rohde, kryeministri ka rikujtuar periudhën e vështirë të pasluftës, kur gjenerali udhëhoqi me përgjegjësinë më të lartë misionin më të madh ushtarak të NATO-s, prej 50 mijë trupash, sa ishin të vendosura atëherë në Kosovë.
Kryeministri ka thënë që gjenerali Reinhardt e kuptonte shumë mirë kontekstin historik e politik të Kosovës. “Ai bashkëndjente me problemet e popullit që atë kohë përpiqej të rindërtonte jetën në shtëpitë e pronat e djegura e të shkatërruara nga forcat policore e ushtarake të Serbisë”, ka thënë Kurti./21Media

Back to top button