Kurti: Shumë shpejtë qytetarët e veriut do ta paguajnë energjinë elektrike

2 min read

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka pyetur se edhe për sa kohë do t’u paguhet energjia elektrike qytetarëve në veriun e Kosovës.

Ajo ka thënë se sa ishte Lëvizja Vetëvendosje në opozitë e kanë akuzuar çdo qeveri për këtë temë.Në lidhje me këtë pyetje Kryeministri Albin Kurti ka thënë se KOSST ka vazhduar t’i mbulojë devijimet e energjisë elektrike në atë pjesë të vendit dhe Qeveria nuk e ka paguar për atë energji elektrike.“Është e vërtetë që ne kemi qenë kritikë kur kemi qenë në opozitë prandaj edhe e kemi trashëguar këtë gjendje që na ka dëshmuar që kemi pasur të drejtë në kritikën tonë. Janë bërë shumë dakordime të pafavorshme për Kosovën në Bruksel dhe po i paguajmë pasojat tani. Në Bruksel argumentet kryesore kundër nesh janë dakordimet e pajtimet që janë bërë nga ish-qeveritë dhe unë duhet të operoj me trashëgiminë e lënë më herët. Po e bëj më të mirën të mundshme në pajtim me ligjet e kushtetushmërinë. Po mundohemi dhe sa më shpejt që mundemi do të vijë dita për faturimin e rrymës për qytetarët në veri sepse kjo është diskriminim për qytetarët tjerë të këtij vendi”, ka thënë Kurti.

Pagesat e përgjithshme të Qeverisë dhe KOSTT-it për rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës kanë arritur në 27.7 milionë euro, kështu ka bërë të ditur kryetari i Bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi gjatë kësaj jave, ku theksoi po ashtu se vetëm për vitin 2021 janë ndarë nga KOSTT 17.7 milionë euro për mbulimin e humbjeve të energjisë në atë pjesë./21Media