Kurti: Siguria në rajon vjen vetëm pas dënimit të kriminelëve

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e ”100 vjetorit – Hasan Prishtina Kryeministër i Shqipërisë”, në Shkup u mbajt sot tribuna tematike ”Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë organizim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përcolli mesazhin për të qëndruar pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, pasi vetëm kështu do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar.
Në mesazhin e tij, Kurti tha se rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin.
”Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik”, thuhet në mesazhin e Kurtit.
 

Back to top button