Kurti: Siguria ushqimore është sfida e radhës me të cilën do të ballafaqohemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të pestë të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë, në Parkun e Trajnimit dhe Inovacionit, në Prizren.
Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se pandemia Covid-19, e tani edhe lufta në Ukrainë, e kanë vërtetuar se sa i cënueshëm është sistemi global i ushqimit, prandaj kjo kërkon përgatitje dhe veprime urgjente që të parandalojmë një krizë të radhës.
”Siguria ushqimore është sfida e radhës me të cilën do të ballafaqohemi muajt në vijim dhe për këtë ne kemi intensifikuar punën në ndryshim-plotësimin e legjislacionit, i cili rregullon çështjet që ndërlidhen me sigurinë ushqimore. Kemi shumëfishuar subvencionet në bujqësi në mënyrë që të mbulojmë nevojat tona elementare me produktet bazike ushqimore dhe gradualisht të dalim nga cikli i varësisë së importit të këtyre produkteve”, ka thënë Kurti.
Megjithëkëtë, sipas kryeministrit, këto kriza nuk duhen assesi të na pengojnë për të avancuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
Për të përshpejtuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër, kryeministri ka thënë se Qeveria ka ndërmarrë disa veprime, ndër to: shumëfishimin e subvencioneve në bujqësi, inicimin e Kartës për Komunën e Gjelbër dhe të Qëndrueshme, finalizimin e draftit të Strategjisë së Energjisë 2022–2031, finalizimin e Draft Strategjisë Afatgjate të Dekarbonizimit, përmes së cilës i hapet rrugë tranzicionit drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese, hartimin dhe miratimin e Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028, e cila vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe sigurisë ushqimore.
Përmes projekteve të Zhvillimit Rural kemi paraparë përkrahjen e prodhuesve dhe përpunuesve me qëllim të zhvillimit dhe avancimit të këtyre ndërmarrjeve për të përmbushur standardet e kërkuara të sigurisë ushqimore, ka thënë kryeministri Kurti./21Media

Back to top button