Kurti: S’iu kërkoj dorëheqjet kryetarëve në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do t’i kërkoj dorëheqjet kryetarëve në veri. Ai shtoi se zgjidhja për zgjedhjet në veri duhet të jetë ligjore, një mundësi është peticioni.
“Dorëheqja është akt moral, ata nuk janë zgjedhur për t’u dorëhequr. Unë besoj se nuk iu vjen mirë as vet kryetarëve që ka pasur pjesëmarrje kaq të ulët. Asnjë kryetar nuk dëshiron që të ketë kaq pak dalje në zgjedhje. Zgjidhja për zgjedhje duhet të jetë ligjore, por unë nuk kam as të drejtë ligjore, institucionale dhe kushtetuese të kërkoj dorëheqjen e tyre, këtë se bëjë dot as nga pikëpamjet e mia politike dhe etike. Duhet zgjidhje tjetër për zgjedhje të reja që gjithashtu duhet të jetë ligjore. Presidentja e ka përmendur një mundësi që përmes nënshkrimit të qytetarëve të vijnë në atë situatë që për bindjen time është më e drejtë, arsyeshme dhe dobishme”, tha ai.
Kurti deklaroi se masat që kanë ndërmarrë aleatët, si anulimi i ushtrimit të përbashkët ‘Defender Europe 2023’ nuk janë fer.
“Veprimet tona të ligjshme dhe kushtetuese kanë shkaktuar një tej reagim nga faktorët ndërkombëtarë, sa i përket bashkëpunimeve që ne i kemi. Kjo është parë edhe me anulimin e ushtrimit të përbashkët ‘Defender Europe 2023’ në Gjakovë. Të gjithë e kemi pritur me gëzim këtë gjë, 1365 ushtarë kanë marrë pjesë, por nuk mund të zmbrapsim republikën demokratike dhe mekanizmat e shtetit tonë të pavarur karshi ekstremistëve të dhunshëm. Besoj që masat që janë marrë ndaj nesh nuk janë fer dhe nuk janë proporcionale”, tha kreu i Qeverisë.
Kurti kritikoi Prokurorinë se kanë qenë pasiv ndaj kriminelëve që kanë shkelur ligjin në veri. Ai tha se nuk arrin ta kuptoj sesi nuk ka asnjë aktakuzë edhe pse janë publikuar qindra fotografi dhe video të krimeve.
“Natyrisht ata që kanë bërë shkelje ligji, krime duhet të përballen me drejtësinë. Me këtë rast unë nuk e kuptoj Prokurorinë tonë të Shtetit, s’i është e mundur që përkundër qindra fotografive e video-gjirimit të shkeljeve të ligjit dhe krimeve, po ashtu denoncimit me emër dhe mbiemër të të gjithë atyre personave s’ka veprime nga prokuroria jonë. Është përsëritje e situatës së dhjetorit të kaluar kur tri javë 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë. Tash për 26 dhe 29 maj nuk shohim veprime të prokurorisë, prandaj për mua mbetet e pakuptimtë se si është e mundshme të kemi një këso lloj pasiviteti të prokurorisë përkundër të gjithë këtyre shkeljeve dhe krimeve atje”, shtoi ai.
Kurti të martën ka propozuar një plan me 5 pika për shtensionimin e situatës në veri, aty përfshihet ndjekja penale e atyre që kanë sulmuar Policinë, pjesëtarët e NATO-s dhe gazetarët, por edhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme si dhe dialogu me Serbinë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?