Kaloni te përmbajtja kryesore

Sulmohen me gurë një gazetar dhe një kameraman në Zveçan

Një gazetar dhe një kameraman janë sulmuar me gurë nga persona të maskuar në Zveçan, përderisa gjendeshin në veturë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për këtë sulm, duke i bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe KFOR-it që të krijohen kushte më të mira për mediat.

“Në Zveçan është sulmuar me gurë ekipi i ATV-së, i përbërë nga gazetari Fatlum Jashari, kameramani Blend Thaçi, si dhe shoferi, Enis Sherifi, përderisa po përcillnin zhvillimet e fundit në këtë komunë.  Sipas mediumit, disa persona të maskuar, e kanë sulmuar me gurë veturën derisa ishte në lëvizje, e që si pasojë lëndime të lehta trupore kanë marrë gazetari Fatlum Jashari dhe kameramani Blend Thaçi, si dhe iu janë thyer xhamat veturës. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vazhdon të jetë i shqetësuar për ekipet e medieve që po raportojnë nga veriu i vendit, andaj ju bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare atje të krijojnë kushte më të mira për ta”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Ekipi i lënduar më pas ka arritur të largohet nën përcjellje të EULEX-it.

Tensionet në veri janë ringritur sot, pasi Policia e Kosovës arrestoi një nga organizatorët kryesorë të protestave të dhunshme që filluan para dy javësh, Milun Milenkovic- Llune. Gjatë arrestimit të tij, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u lëndua lehtë, ndërkohë që edhe dy pjesëtarë të tjerë u lënduan pasi hasën në rezistencë nga serbët lokalë. /21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button