Kurti: S’kemi hequr dorë nga asgjë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas kthimit nga Brukseli, ka thënë se e presin takime të vështira në kuadër të dialogut me Serbinë, në muajt në vazhdim. Pas pajtimit të Kosovës dhe Serbisë me planin evropian, sipas Bashkimit Evropian, palët tani do të vazhdojnë me diskutimet për implementimin e tij. Edhe pse aty s’përmendej njohja, Kurti ka thënë se “nuk është hequr dorë nga asgjë”.
“Nuk kemi hequr dorë nga asgjë dhe do të vazhdojmë për qytetarët e Kosovës. Na presin takime e diskutime të vështira në muajt në vazhdim. Jam i hapur për çdo raportim në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai pas homazheve për viktimat e masakrës së Qirezit dhe Likoshanit, shkruan televizioni publik.

Kryeministri ka thënë se nuk ka mundur ta publikojë planin franko-gjerman më herët për shkak se kjo ishte kërkesë e negociatorëve. Ai ka ftuar të gjithë që ta lexojnë e analizojnë atë pas publikimit. Kurti ka thënë se palët ndërmjetësuese të dialogut janë të përkushtuara që gjatë muajit mars të ketë marrëveshje për propozimin në fjalë.
Back to top button