Kurti takohet me Begajn, temë diskutimi anulimi i mbledhjes së dy qeverive

(Lajm i përditësuar) 


Kurti takohet me Begajn, temë diskutimi anulimi i mbledhjes së dy qeverive

Me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në një takim të ngrohtë e miqësor, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti diskutoi për marrëdhëniet e veçanta ndërmjet dy republikave.

Kryeminisri i Kosovës, Albin Kurti u takua me me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj në kuadër të Forumit të Prespës.

Sic bëhet e ditur në njoftim për media kryeministri Kurti shprehu keqardhjen e tij për anulimin e njëanshëm të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë, “me ç’rast u humb mundësia e nënshkrimit të 13 marrëveshjeve të reja nga të cilat do të përfitonin qytetarët tanë. “

Po ashtu bëhet e ditur se ai e falënderoi presidentin Begaj për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe për qëndrimin e tij në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, duke e dënuar këtë akt të agresionit dhe duke kërkuar lirim të menjëhershëm të tyre.

“Ai gjithashtu e njoftoi presidentin Begaj me propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për depërshkallëzim dhe normalizim të plotë të situatës në komunat në veri, teksa riktheksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë premisa bazë e çdo zgjidhjeve për rrugën përpara. “ thuhet në njoftim.


Kurti në takim me Abazoviqin dhe Milanoviqin kërkoi që sjellja e Serbisë të dënohet nga ndërkombëtarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Prespës, që po mbahet në Strugë të Maqedonisë së Veriut u takua sot me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Kryeministri Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, e informoi Abazoviqin me propozimin e tij për depërshkallëzim të situatës “dhe me faktet e institucioneve të Kosovës të cilat dëshmojnë se të mërkurën Serbia bëri agresion ndaj Kosovës me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës thellë brenda territorit të Kosovës”.

Kurti u shpreh veprimi agresor i Serbisë duhet të dënohet qartë dhe ashpër nga të gjithë.

Ndërsa, me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, kryeministri Kurti bisedoi për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe për fushat me potencial të thellimit tyre.

Kurti e falënderoi presidentin Milanoviq për përkrahjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë shtetit të Kosovës.

Gjatë takimit, sipas komunikatës, Kurti tha se Serbia ka shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kur nga brendia e territorit të Kosovës ka rrëmbyer tre policë të Kosovës.

Ai shtoi se sjellja e Serbisë duhet të dënohet nga i gjithë faktori ndërkombëtar dhe të bëhet thirrje nga të gjithë që tre policët që po mbahen padrejtësisht në Serbi, të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

Ndryshe, tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe në veri të vendit sot iu shqiptua masa e paraburgimit. Vendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, pas kërkesës së bërë nga prokurori publik i këtij qyteti në jug të Serbisë.

Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe

Back to top button