Kurti takohet me Dua Lipën: Sunny Hill u mbajt aty ku e ka vendin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në Kryeministri , këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa e cila po qëndron në Kosovë për me rastin e Festivalit Sunny Hill.
Lidhur me këtë festival kryeministri Kurti tha se u mbajt aty ku e ka vendin, si dhe vlerësoi lart kontributin e Duas në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“U mbajt në Prishtinë, aty ku e ka vendin. Kosova shkëlqen ndryshe me Sunny Hill dhe vajzën tonë të artë, Dua Lipa, të cilën sot e prita në Kryeministri. Vendi ynë po shënon një nga vitet më të suksesshme kulturore në historinë e tij. Duan e falënderova për përfaqësimin e bukur e dinjitoz dhe promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë. Zëri, muzika e kënga e saj, na kanë bërë shumë më të njohur dhe mirënjohur anembanë. Kontributi që ajo jep për Kosovën është i pamatshëm.”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje ai ka falënderuar Duan për festivalin “Sunny Hill” duke thënë se po e pasuron jetën kulturore si dhe po sjell dobi për ekonominë locale.
“Festivali “Sunny Hill” i shton shije jetës së pasur kulturore të shtetit tonë. Pas katër ditë performancë muzikore me emra të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, është momenti t’u themi faleminderit Duas dhe gjithë ekipit për punën dhe promovimin që i bënë Kosovës. Sunny Hill është edhe dobi për ekonominë lokale, ndërsa sivjet edhe mbështetje ndaj angazhimeve shtetërore për liberalizimin e merituar të vizave për qytetarët e Kosovës.”, ka shkruar Kurti./21Media

 

Back to top button