Kurti takoi komisionerin Varhelyi, i kërkoi liberalizimin e vizave për Kosovën


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Komisionerin për Fqinjësi e Zgjerim, Oliver Varhelyi, në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, ku zyrtarë të Bashkimit Evropian, kryeministra e presidentë të shteteve të ndryshme, po diskutojnë për të ardhmen dhe mundësitë e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Në takim u diskutua gjendja me pandeminë COVID 19 dhe rëndësia që ka për popullin e Kosovës përkrahja nëpërmjet fondeve për përballimin e vështirësive dhe ringjalljen ekonomike.
Në komunikatën e Qeverisë thuhet se kryeministri Kurti përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin sa më parë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai falënderoi Komisionin për punën që po bën për të bindur vendet skepitike.
Kryeministri Kurti e njoftoi Varhelyi për angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma dhe e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi.
Komisioneri Varhelyi theksoi mbështetjen që Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i japë Kosovës në procesin e reformave.
Duke folur për zgjerimin e BE-së, kryeministri tha që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian./21Media

Back to top button