Kurti: Targat “KS” nuk kthehen më në qarkullim
Kryeministri Albin Kurti u deklarua për takimin e 18 gushtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Kurti ka thënë se targat “KS” nuk do të kthehen asnjëherë më në qarkullim. Ai shtoi se nuk është e nevojshme që këto targa të rikthehen.
“Presidenti i Serbisë duke e nënshkruar marrëveshjen e vitit 2016, e ka pranuar që këto targa janë ilegale dhe se mundësia për regjistrim me to është e përkohshme deri në vitin 2021. Në marrëveshjen e vitit 2016 vetë presidenti i Serbisë si nënshkrues i saj e ka pranuar që këto targa janë ilegale, si dhe ka pranuar që mundësia për regjistrim me targa KS është e përkohshme deri në shtator të vitit 2021. Tema për targa legale/ilegale është mbyllur më 15 janar të vitit 2018. Nga janari i vitit 2021, ata i kanë konvertuar targat nga “KS” në “RKS” pa asnjë incident e kanë ditur se mund t’i konvertojnë targat nga shtatori i vitit 2021 pa asnjë incident”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se pala serbe po e eskalon retorikën dhe veprimet në fushën e sigurisë, duke cenuar sigurinë nacionale dhe rajonale në përgjithësi.
“Jam thellësisht i bindur se pala serbe panevojshëm dhe krejt artificialisht është duke e eskaluar retorikën ashtu edhe veprimet në fushën e sigurisë, kjo bashkë me kërcënimet e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës, si e tillë kjo përbën cenim të drejtpërdrejt si të sigurisë nacionale, ashtu edhe të rajonit në përgjithësi. Mendoj se këto kërcënime synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsi në negociata duke kërcënuar BE-në, SHBA-në apo Mbretërinë e Bashkuar me tensione në të ardhmen”, ka thënë ai./21Media