Kurti tha se në qendër të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030 është qytetari

Kryeministri Albin Kurti sot  mori pjesë në takimin për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030.
“Nëpërmjet kësaj strategjie synojmë që qeverisja jonë të jetë transformuese në atë mënyrë që të përmirësojmë cilësinë e jetesës për qytetarët, të shtojmë të ardhurat për punëtorët, të ngrejmë mirëqenien dhe të mbrojmë ambientin për gjeneratat e ardhshme”, tha Kurti.
Ai theksoi se në qendër të strategjisë është qytetari, i cili kërkon punë dhe drejtësi, pra të drejta dhe mirëqenie, dhe janë institucionet tona që kërkojnë zhvillim e qëndrueshmëri, pra demokratizim.
Në këtë takim, siç u bë e ditur në komunikatë, kryeministri vuri theksin te qëllimet dhe objektivat e qeverisë, të përmbledhura në punë dhe drejtësi. Ai përmendi punën e bërë në këta muaj të qeverisjes që ato të kthehen në plane konkrete dhe të realizueshme.
“Zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me rritje të standardit jetësor, përmirësim të shërbimeve publike e shëndetësore, përmirësim të mjedisit duke e ruajtur e riparuar natyrën dhe zgjidhje të qëndrueshme për shfrytëzimin e resurseve si energjinë, ujin dhe burime të tjera”, tha Kurti.
Kryeministri potencoi se Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverisje. Prandaj, duhet dakordim për një kornizë më të gjerë, kornizën e planifikimit dhe menaxhimit strategjik, që ndihmon për të administruar politikat dhe shërbimet publike që do të çojnë drejt realizimit të vizionit qeverisës.
Ky takim u organizua nga Zyra për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në emër të Qeverisë Gjermane, me qëllim të përcaktimit të planeve për avancimin e projekteve të zhvillimit./21Media

Back to top button