Kurti thotë se Kosova do të aplikojë këtë vit për anëtarësim në BE

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë dhënë televizionit zviceran, Blick, ka thënë se Kosova do të aplikojë këtë vit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Tutje, ai ka thënë se shpreson që po këtë vit edhe pesë shtetet e BE-së, që nuk e kanë njohur deri me tani Kosovën të ndryshojnë qëndrim.
“Ne jemi në kontakt me shtetet mos njohëse. Katër nga ato janë edhe në NATO: Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania. E edhe Qipro që është pjesë e Bashkimit Evropian por jo edhe e NATO-s. Shpresoj që këtë vit këto vende të bëjnë hapin e madh drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe t’i bashkohet shumicës së vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që janë pjesë e BE-së dhe NATO-s”, ka thënë kryeministri.
Kurti ka theksuar se do të ishte shumë mirë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në programin e partneritetit për paqe të NATO./21Media

Back to top button