Kurti: T’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, sepse Suhareka na bashkon, solidariteti na barazon

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës do të qëndrojmë pas planeve tona e për nevojat tuaja, për të ndërtuar sisteme dhe shërbime të domosdoshme që mbështesin mirëqenien dhe zhvillimin e të gjithë qytetarëve tanë”, tha sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në festivalin “Suhareka na bashkon”, i cili ju kushtohet personave me aftësi të kufizuara.
Në këtë skenë festivali, ku interpretuan artistë e këngëtarë nga Republika e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonia e Veriut, siç bëri të ditur Qeveria, Kurti tha se garantimi dhe avancimi i të drejtave të njeriut është një çështje thelbësore në vetvete, por edhe shtytëse për shoqëri më të drejtë, e më të suksesshme.
“Për më shumë mundësi për të gjithë, për barazi, e për të mos e lënë askënd prapa, vitin 2022, siç u tha edhe këtu, e kemi shpallur vit të personave me aftësi të kufizuar. Ndonëse është një angazhim yni i përditshëm e i përhershëm, gjatë këtij viti kemi punuar më shumë, e më mirë, bashkërisht, për një shoqëri me mundësi për të gjithë. Andaj, si institucione edhe qendrore edhe komunale le t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit që të jemi bashkë, sepse Suhareka na bashkon, ndërkaq solidariteti na barazon, tha Kryeministri.
Duke folur për përkrahjen institucionale, kryeministri veçoi mbështetjen për programet trajnuese për sportistët, me 100 mijë euro mbështetje vjetore për Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe 40 mijë Euro për Federatën e Sportit për të Verbër, zbatimin e Masës 1.6 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, e po ashtu për komunitetin e personave të verbër përmendi punën për krijimin e Sintezës Vokale në Gjuhën Shqipe./21Media

Back to top button