Kurti tregon çka u diskutua në takim me Lajçakun dhe këshilltarët Plötner dhe Bonne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.
Sipas një komunikate për media nga zyra e kryeministrit, në takim u theksua se Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.
“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.
Ai falënderoi Lajçakun, si dhe këshilltarët Plötner dhe Bonne, për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë takimit u bisedua edhe për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Takimi vije pas propozimit në letrën e përbashkët të Kancelarit Scholz dhe Presidentit Macron, drejtuar Kryeministrit Kurti, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajçakk, në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi i dialogut të lëvizë përpara shpejt.

Në anën tjetër, Lajçak ka thënë pas takimit se kanë diskutuar me Kurtin se si ta çojnë dialogun përpara, duke shtuar se nuk mund të japë më shumë detaje./21Media

Back to top button