Rahoveci priti mbi 100.000 vizitorë për tri ditë

Me një numër prej mbi 100.000 vizitorëve për tri ditë e tri net sa ka zgjatur festivali, Hardh Fest sivjet shënon edicionin më të suksesshëm, me programin e pasur vreshtar, vertarë e të trashëgimisë kulturore dhe artistike që ishte përgatitur për vitin 2022.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se pjesëmarrja e vizitorëve në Hardh Fest sivjet ishte dukshëm më i lartë se gjatë viteve të kaluara, si me pjesëmarrje në aktivitetet e shumta unike dhe rekreative ditore të festivalit, po ashtu edhe në koncertet e tri netëve që sollën emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe vendore.

Këtë vit kishte rritje edhe të numrit të pjesëmarrësve nga shtete e rajonit dhe Evropa në edicionin e këtij viti. Turistë të huaj iu bashkëngjitën në disa raste aktiviteteve të ditës dhe u bënë pjesë e dhjetëra mijëra vizitorëve që morën pjesë në koncerte.

“Pjesë e këtij suksesi janë të gjithë ata që kontribuuan, morën pjesë në aktivitetet ditore, që vizituan panairin e prodhimeve të verës, rakisë e rrushit në lokacionin e festivalit dhe ata që u kënaqën me tingujt e muzikës Pop & Rok me artistë të nivelit botëror si Kip Winger.Organizatorët janë të kënaqur me gjithë rrjedhën e ngjarjeve për tri ditët e kaluara dhe falënderojnë secilin vizitor e pjesëmarrës në aktivitete si dhe institucionet, përkatësisht Komunën e Rahovecit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, partnerin Stone Castle, sponsorin gjeneral Banka për Biznes dhe të gjithë sponsorët e tjerë për mbështetjen e madhe në realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore për vendin”, thuhet në një komunikatë të Hardh Fest-it.

Hardh Fest është një festival autentik që shkas organizimi merr festën e vjeljes së rrushit, duke promovuar kulturën e vreshtarisë dhe në përgjithësi bujqësinë lokale të Rahovecit, përmes artit dhe trashëgimisë kulturore./21Media

Back to top button