Kurti tregon se çka propozoi në Bruksel për shtensionim të situatës

Kryeministri Albin Kurti përmes një video-mesazhit në gjuhen angleze të publikuar në Facebook ka propozuar 4 hapa për Kosovën dhe Serbinë për shtensionimin e situatës në veri.

Ai ka thënë se ka treguar se çfarë është Kosova e gatshme të bëjë dhe çfarë presin nga Serbia në këmbim.
Kurti ndër tjera ka shtuar se Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim.
Ka shtuar se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe janë të etur dhe të gatshëm të angazhohen për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon.

 

Ai i ka renditur hapat që i ka paraqitur për shtensionim të situatës;

1) Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;

2) Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;

3) Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 për qind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;

4) Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Ndërkohë ka thënë se nga Serbia presin tërheqjen e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre.

Ka shtuar se presin zotimin për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;

“3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit. 4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”, ka thënë ai.

Ka shtuar se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet të zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra./21Media

Back to top button