Kurti: Ujmani nuk i takon Serbisë, është tokë, ujë dhe energji e Kosovës

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot deklaroi se Liqeni i Ujmanit është toka jonë dhe se është pasuri e Kosovës e jo pasuri natyrore, pasiqë është ndërtuar nga njeriu.

Kurti në facebook u shpreh se Ujmani është tokë e Kosovës në territor të Serbisë, por, edhe atje, sipas Kurtit, Ujmani është i Kosovës.

“Ujmani nuk është pasuri natyrore por liqe artificial. Ujmani është pasuri, sepse është pasuri e Kosovës; jo pasuri natyrore, sepse i ndërtuar nga dora e njeriut. Ujmani nuk është ujë, Ujmani është tokë, sepse njëherë është tokë e pastaj ujë. Ujmani është tokë e mbushur me ujë.
Sipërfaqja e plotë mbi cilën është ndërtuar Ujmani është pronë e Kosovës. Kadastri, pra pronësia, shtrihet më tej se kufiri shtetëror i Republikës së Kosovës me Serbinë. Andaj Ujmani edhe në territorin e Serbisë është i Kosovës. Ujmani është tokë e Kosovës në territor të Serbisë. Por, edhe atje ai është i Kosovës.”, shkroi Kurti në facebook.

Kurti potencoi se “Ujmani nuk është ndërtuar në bashkëpunim me Republikën tjetër (sot Serbia), as nuk ka pasur për destinim përdorimin e ujërave të grumbulluara në të nga të dy etnitet asokohe brenda federatës (sot shtete të pavarura), por vetëm dhe vetëm të Kosovës”. Këtë, theksoi Kurti se e vërteton çdo dokument zyrtar, por edhe projektimi i këtij kompleksi ujor-energjetik.

“Fakti që nga pikëpamja e kufirit shtetëror ka pjesë të liqenit artificial të Ujmanit, pra tokave, në territorin e Serbisë, nuk thotë asgjë për pronësinë e tokës mbi të cilën sot ka ujë – ajo është aset i ndërmarrjes publike me qeverinë si 100% aksionare në emër të Republikës sonë. Ujmani është çështje prone, jo kufiri. Ujmani nuk është rasti i liqenit natyror të Shkodrës, ku vet liqeni është ndarë midis shteteve, apo i liqenit tektonik të Ohrit. Por as nuk është rasti i marrëveshjes ndërkombëtare për shfrytëzimin e ujrave dhe më pas blerjen e tokës si te liqeni i Vërmicës në rastin e Shqipërisë me atëbotë Jugosllavinë.”, shkroi më tutje Kurti.

Sipas Kurtit, nuk ka pasur dhe as nuk ka për Ujmanin asnjë kontest të natyrës ndërkombëtare apo që lidhet në ndonjë formë me të drejtën ndërkombëtare të ujërave.

“Askush nuk ka kontest për rrjedhën e lumit i cili e mbush një pjesë të liqenit tonë artificial. Koha kur Serbia mund të nxirrte pretendime për këtë kompleks siç është Ujmani ka qenë para më shumë se 40 vjetëve, kur shpallej interesi i Kosovës për projektim dhe shpronësime për këtë qëllim në nivel të federatës. Nuk mund të simulohet kontesti i pabërë 40 vite më parë sot më 2020. Sepse nuk ekziston më asnjë e drejtë. Gjithçka është ratifikuar në nivel federate në atë kohë dhe çështja është e mbyllur.”, u shpreh Kurti.

Ish-Kryeministri Kurti deklaroi se Ujmani s’ka kontest dhe nuk i takon Serbisë, por, Ujmani është tokë e Kosovës.

“Kushdo që po flet për Ujmanin si “ujëra që duhen ndarë” përveç që po ia ndihmon Serbisë të krijojë nga hiçi një kontest të pronësive të Kosovës, njëkohësisht edhe po e shtron rrugën që të zgjidhet keq çështja e demarkimit të kufirit kurdo që ajo ndodh. Ujmani s’ka kontest, as nuk ka për çfarë të përdoret nga Serbia, as si e drejtë dhe as si aset, sepse nuk i ka takuar kurrë asaj dhe as nuk është ndërtuar për pjesë apo zona të saj. Ujmani pra nuk i takon Serbisë e madje as nuk i duhet Republikës së Serbisë. Ujmanin duket që e kanë veçse për ‘Zajednicë’, si ujë për ‘Zajednicë’. Ujmani është tokë, ujë dhe energji e Kosovës, nga Kosova, për Kosovën.”, përfundoi Kurti në facebook./21Media

Back to top button