Kurti: Kosova duhet të jetë pjesë e familjes evropiane

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar sot Ditën e Evropës në 74-vjetorin e vendosjes së gurthemelit të Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se kjo ditë na përkujton nevojën për unitet, solidaritet e bashkëpunim si parime të patjetërsueshme, për ruajtjen e demokracisë, drejtësisë dhe barazisë, të drejtave të njeriut e sundimit të ligjit në Evropë.

“E gjersa Evropa sot po kërcënohet nga politikat ekspansioniste e ideologjitë ekstremiste, ruajtja e unitetit bëhet më e rëndësishme se asnjëherë më parë. Vetëm një Evropë e bashkuar mund të bëhet mburojë ndaj agresioneve ushtarake e tentimeve destabilizuese që cenojnë paqen dhe rrezikojnë lirinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në familjen e madhe evropiane, e cila do të ishte një sinjal pozitiv për vendin dhe vlerat demokratike.

Dita e Evropës është më shumë se një ditë feste, por edhe përkujtimi për vlerat e avokuara qe në vitet e ’50-ta, të cilat dërguan drejt krijimit të BE-së, gurthemeli i të cilit u vendos përmes deklaratës së Ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman. Kjo ditë ngërthen rëndësinë se vetëm një Evropë e bashkuar kultivon lirinë e demokracinë, paqen e sigurinë.

Back to top button