Kurti: Vendimi i sotëm i SHBA-ve vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë javë më parë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinoviç dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës.
Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup, sipas Kurtit, është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve.
Tutje, ai ka thënë se vendimi i sotëm i SHBA-ve vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.
“Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë. Krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare. Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara, të mërkurën kanë vendosur sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën dhe hemisferën perëndimore, duke shënjestëruar një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës. Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit ka shënjestëruar grupin e afaristit serb, Zvonko Veselinoviç./21Media

Back to top button