Kurti vizitoi familjen e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar familjet e dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, në Gjilan në 38- vjetorin e rënies.
Në familjet Mala dhe Berisha, Kurti ka rikujtuar veprimtarinë patriotike dhe heroizmin e dy dëshmorëve, të cilët u vranë duke luftuar në një shtetrrethim të hekurt nga forcat serbe të policisë.
Ai tha se veprimtaria e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës frymëzon e inspiron secilin brez shqiptarësh, jo më pak se rënia e tyre heroike.
“Liria kombëtare dhe drejtësia shoqërore u bënë bashkë te këta dy heronj të pavdekshëm, me jetën dhe vdekjen e tyre. Lagja ku luftuan këta dy heronj mori emrin Kodra e Trimave. E sakrifica e tyre u bë flakë e janarit që vazhdon të ndriçojë rrugën tonë”, tha Kurti.
Ndërmjet 11 e 12 janarit 1984, Rexhep Malaj 33-vjeç, pa u bërë tetë muaj që u lirua nga burgu i rëndë nëntëvjeçar, bashkë me shokun e tij Nuhi Berisha i cili asokohe ishte student 23-vjeç, ranë heroikisht në luftim me forcat serbe në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë./21Media

Back to top button