Kusari: I vetmi parandalim për të mos shkuar në një mbyllje është vaksinimi

 
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka apeluar tek qytetarët që të vaksinohen në mënyrë që të mos shkohet tek një mbyllje e serishme e vendit.
Ajo tha se i vetmi parandalim për të mos shkuar në një mbyllje dhe në masa të reja më rigoroze është vaksinimi.
“Statistikat e ditëve të fundit në përgjithësi dhe ato të ditës së djeshme në veçanti shënojnë zilen e alarmit për të gjithë ne, për institucionet dhe masat e reja që mund apo duhet të ndërmerren për të parandaluar shpërndarjen e mëtutjeshme të virusit COVID-19. I vetmi parandalim për të mos shkuar në një mbyllje edhe në masa të reja më rigoroze qytetarë të dashur është vaksinimi”, tha ajo.
Ajo ka përmendur edhe disa nga teoritë, siç tha ajo, konspirative që po shtyjnë qytetarët që të mos vaksinohen. Kusari tha se vaksinimi nuk ndalohet për ata që kanë sëmundje, ata që udhëtojnë, e as për gratë shtatzëna.
“Vetëm të vaksinuar mund të vazhdoni me rregull takimet dhe ritet fetare, në të kundërtën na pret izolimi dhe ndarja. Nga shifrat e të infektuarve dje 888 sa ishin, 398 janë të moshave midis 20-40 vjeç, 117 janë të moshës 10-19 vjeç dhe 17 fëmijë janë të moshës 0-9 vjeç, nga gjinia kemi 499 gra dhe 389 burra. Të gjitha teoritë të cilat shpërndahen nga të tjerët për mosvaksinim duhet të dinë se po ndikojnë në kategorinë më vitale të popullsisë ata të cilët janë në pikun e performancës dhe ata të cilët janë në kohën kur kontribuojnë për veten dhe familjen. Varianti delta shpërndahet shumë më shpejt dhe është shumë më i rrezikshëm, përhapja më e madhe e rasteve dhe rezultatet më të rënda qofshin ato edhe me fatalitet janë tek personat e pavaksinuar. Normat më të ulëta të shpërndarjes janë në vendet ku ka vaksinim të lartë, mos luani me jetën e të afërmve tuaj. E vërtetë është që ende nuk dihet çdo gjë për vaksinën, po krejt çka duhet të dihet është se mbron jetë dhe shpëton jetë”, tha ajo.

Back to top button