Tahiri kërkon masa shtesë për ta luftuar pandeminë COVID-19
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa shtesë për ta luftuar pandeminë COVID-19.
Ai tha se tashmë kur janë rritur rastet pozitive me COVID-19, institucionet duhet të kenë një angazhim më të madh për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve por edhe institucioneve shëndetësore.
Megjithëkëtë, Tahiri ka ftuar edhe qytetarët që të vaksinohen sa më shpejt në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e tyre.
“Të kenë një angazhim më të madh, java tjetër ta zërë Republikën e Kosovës me masa shtesë, ta zërë me angazhim më të madh qeveritar në mbarë vendin. Pra, edhe një herë të nderuar qeveritar përkujdesuni më shumë për shëndetin e qytetarëve tanë, përkujdesuni më shumë për shëndetin e atyre të cilët janë në moshë më të shtuar dhe po ashtu përkujdesuni më shumë që qytetarët tanë të jenë sa më shumë të vaksinuar”, tha ai.
Tahiri tha se duhet një angazhim më i madh edhe i Ministrisë së Shëndetësisë(MSh) që të fuqizohen spitalet rajonale.
“Sot na duhet një angazhim më i madh se kurrë i ministrit të Shëndetësisë në fuqizimin e spitaleve rajonale, në përkrahje të spitaleve rajonale dhe në përkrahje të QKUK-së. Prandaj, si deputetë të opozitës i bëjmë thirrje qeverisë, sepse është organi më i rëndësishëm në këtë vend dhe në këtë rast jep ndihmën më të madhe në ballafaqim me COVID-19 në raport edhe me stafin tonë shëndetësor. Njëkohësisht i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që t’i dëgjojnë këshillat e stafit profesionist shëndetësor që të vaksinohen, sepse e vetmja mënyrë, e vetmja formë që të kalojmë më lehtë këtë sfidë në këtë periudhë mjaftë të rëndë që duket që do të rendohet çdo ditë e më shumë është vetëm nëse vaksinohemi. E shohim që kemi një çalim në zonat rurale të vaksinimit siç e kam theksuar edhe herën e kaluar”, tha ai.
Në fjalën e tij, deputeti Tahiri ka kërkuar edhe nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që të dalë me plan konkret se nëse do të mbyllet vendi nga shtatori të përgatiten për mësimin online.