Kusari-Lila gati për balotazh, Gjinin e quan kryetar në largim

 
Mimoza Kusari-Lila, kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Komunës së Gjakovës, nuk mori mbi 50 për qind të votave të nevojshme dhe doli e dyta në zgjedhje lokale që u mbajtën dje, 17 tetor.
Kusari-Lila pret fitoren në raundin e dytë përball kandidatit të AAK-së, Ardian Gjinit.
Ajo ka thënë se rinisja e qeverisjes së hapur është e domosdoshme për Gjakovën dhe atë do ta arrijnë së bashku me qytetarët.
“Në rrafshin politik, zgjedhjet lokale në komunën tonë janë zgjedhje të cilat sikur në nivelin nacional, synojnë të ndryshojnë një mendësi dhe qeverisje, e cila nuk e ka objektivë interesin e përgjithshëm, por interesin e përveçëm dhe klanet përfituese rreth kryetarit në largim. Të ndryshosh dhe shkëputësh këto lidhje nuk është e lehtë, ashtu sikur nuk ishte e lehtë të vazhdohet me rizgjedhje pas mandatit tim të parë si kryetare e komunës. Megjithatë, nuk është e pamundur. Shkëputja e qeverisjes klienteleske dhe rinisja e qeverisjes së hapur, transparente, me plan zhvillimor të qartë e të koordinuar me Qeverinë e Kosovës, është e domosdoshme për Gjakovën dhe atë do ta arrijmë bashkë me Ju më 14 nëntor”, ka shkruar ndër të tjera Kusari-Lila në Facebook./21Media

Back to top button