Kusari-Lila: Kosova është një tërësi territoriale, një shtet i pavarur…
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është deklaruar rreth mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“U vendos që fillimi i punimeve të rregullta të sesionit pranveror të jetë data 20 janar, dita e enjte, të fillojë seanca e re. Në rendin e së cilës janë të parapara shqyrtimi i projektligjeve në lexim të dytë, votimi i një marrëveshje ndërkombëtare, gjithashtu në këtë seancë do të mbahet edhe debati parlamentar i kërkuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që në sesionin vjeshtor, ai në lidhje me rritjen e çmimeve. Planifikohet që po të njëjtën ditë, me përfundimin e punimeve të seancës së re, të vazhdohet me punimet e seancave të mbetura nga sesioni vjeshtor. Në rend të ditës do të jenë marrëveshjet ndërkombëtare, katër prej të cilave nuk janë votuar, me mundësinë e vazhdimit të punimeve edhe gjatë ditës së premte”, ka thënë Kusari-Lila.
Kusari-Lila u shpreh votimi për zgjedhje, qofshin ato parlamentare apo siç ishte me referendum të një shteti tjetër, është i paraparë dhe siç u theksua, votohet me shkuarje në shtetin ku mbahen zgjedhjet, me postë apo me ambasadat ndërlidhëse të atij shteti
“Reciprociteti si koncept bëhet në mes të dy shteteve. Kosova është shtet multietnik. Rezoluata ka rikonfirmuar vullnetin e të gjitha partive politike, të pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës në një proces i cili shkel sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës. Votimi për zgjedhje, qofshin ato parlamentare apo siç ishte me referendum të një shteti tjetër, është i paraparë dhe siç u theksua, votohet me shkuarje në shtetin ku mbahen zgjedhjet, me postë apo me ambasadat ndërlidhëse të atij shteti. Kosova është një tërësi territoriale, një shtet i pavarur dhe një ligj i aplikueshëm për të gjithë”, tha Kusari-Lila.
Kujtojmë se, Kuvendi i Kosovës me 76 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenimi ka miratuar të shtunën rezolutën kundër lejimit të organizimit të referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës./21Media