Kusari-Lila mohon se ka përplasje të Qeverisë me ShBA-të për Asosiacionin

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Asociacioni nuk mund të themelohet pa institucionet vendimmarrëse, si Qeveria dhe Kuvendi.
Në konferencë për medie, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ajo tha se s’ka përplasje të Qeverisë me ShBA-në, por sipas saj, ka trajtim të të drejtave të komuniteteve në përputhje me ligjet dhe kushtetutën.
Kusari Lila ka thënë se asgjë nuk mund të bëhet nga dikush tjetër, pasi siç thotë ajo në Kosovë janë organet vendimmarrëse si Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria.
“Asgjë nuk mund të bëhet nga dikush tjetër, në Kosovë janë organet vendimmarrëse, Qeveria, Kuvendi dhe komunat me qeverisjen lokale. Nuk ka mekanizëm tjetër që dikush jashtë këtyre mund të themelojë ose krijoj, por në aspektin ligjor dhe të obligueshëm janë këto institucione që përmenda”, ka thënë Kusari Lila.
Ndërkaq, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të marrin pjesë në takimin e nesërm të Ambasadës Amerikane për Asociacionin, por theksoi se Qeveria është përgjegjëse për t’i dhënë drejtim kësaj çështje.

Back to top button