Tirana fiton Kupën e Shqipërisë në futsall

Kupa e Shqipërisë në Futsall 2023 është përmbyllur këtë të diel me finalen e madhe mes Diamanti Futsal dhe Tirana Futsal, të luajtur në kompleksin Goga në Durrës. Një ndeshje që është ndjekur dhe nga numër i kënaqshëm spektatorësh, ndërkohë që në fushë Tirana Futsal ka qenë gjatë gjithë kohës superiore, e duke fituar bindshëm me rezultatin 5-0.
Protagonistët e këtij suksesi me golat e tyre kanë qenë Kaca (tregolësh), Mërtiri e Xhaferraj. Ndeshja ka dhuruar momente mjaft të bukura duke konfirmuar edhe një herë rritjen e futsallit dhe kompeticioneve të organizuara nga FSHF.
Kësisoj, Tirana Futsal ka fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë 2023 teksa në fund është organizuar edhe ceremonia e rastit me Drejtorin e Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri dhe specialistin e këtij sektori Igli Mumajesi, të cilët i kanë dorëzuar medaljet dhe trofeun fituesve.
Në këtë edicion të Kupës së Shqipërisë Futsall morën pjesë tetë skuadra e më konkretisht Flamurtari Futsal, Vllaznia Futsal, Tirana Futsal, Diamanti Futsal, Eagles Land, Olimpik 1 Maji, Forcat e Armatosura dhe Olimpik Tirana. Të njëjtat skuadra marrin pjesë edhe në Kampionatin Kombëtar të Futsallit, ndërkohë që krahasuar me sezonin e kaluar është dyfishuar numri i ekipeve që janë bërë pjesë e kësaj disipline.
Objektivi i FSHF-së është që sezonin e ardhshëm të ketë edhe më shumë ekipe në këto turne, pasi interesi ka qenë në rritje dhe ka shumë djem të apasionuar pas futbollit që duan të jenë pjesë e futsallit.
Tashmë skuadrat do të jenë të fokusuar në Kampionatin Kombëtar të Futsallit, që është edhe turneu më i rëndësishëm.

Back to top button