Kusari-Lila pas reagimit të FMN-së: Nuk rrënohet shteti pse ke humbur pushtetin

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar pas komunikatës së lëshuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e në të cilën kundërshtohet ideja për dhënien e Trustit dhe nuk rekomandohet kthimi i tarifave të vjetra të rrymës.
Kusari-Lila përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se si reagimi i FMN-së është dëshmi sa popullist dhe destruktiv është propozimi i partive të opozitës.
“Udhëheqësit opozitarë bashkë me ekonomistët që i mbështesin ata, akuzojnë pozitën për vendime populiste, përderisa vetë nuk bën asgjë më shumë se të rreshtohen pas ideve/propozimeve populiste dhe destruktive për ekonominë e vendit deri në shkatërrim financiar të shtetit. Stimulohet rrënimi i stabilitetit financiar, nxitja e trazirave sociale dhe rrezikimi i funksionimit të Agjencive Rregullative vetëm pse ata e humbën pushtetin”, ka shkruar Kusari-Lila.
Kusari-Lila ka thënë se një reagim i tillë i FMN-së për propozimin e PDK-së për Trustin e që është mbështetur edhe nga LDK, AAK dhe Lista Serbe, tregon se sa serioze është situata.
“Reagimi i Fondit Monetar Ndërkombtar lidhur me propozimin e PDK-së, mbështetur nga LDK, AAK dhe Lista Serbe për tërheqjen e 30% të Trustit si dhe procesin gjyqësor për anulimit të tarifave të energjisë, sipas këtij institucioni të rëndësishëm financiar, tregon seriozitetin e situatës, përfshirë rrezikimin e sistemit financiar dhe rregullativ në Kosovë, si dhe është dëshmi sa popullist dhe destruktiv është propozimi i partive të opozitës. Nuk rrënohet shteti pse ke humbur pushtetin. Kjo logjikë tregon shumë qartë paaftësinë për të menduar propozime që ndihmojnë qytetarin dhe nuk rrënojnë shtetin. Kjo nuk është ekonomi, është mendësi sot për nesër”, ka thënë ajo./21Media

Back to top button