Kusari-Lila për sulmet në veri: Serbia e Millosheviqit po funksionon ende me Vuçiqin në krye të saj

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se sulmet e organizuara në veri të vendit tregojnë se Serbia nuk e ka ndalë synimin për terror ndaj Kosovës.
Siç ka thënë ajo, Serbia e Millosheviqit po funksionon ende me Vuçiqin në krye të saj.
“Synimi për terror nga ana e Serbisë ndaj Kosovës nuk është ndalë asnjëherë, vetëm ka ndryshuar madhësia e ndikimit dhe mënyra e aplikimit. Sulmet e organizuara ndaj institucioneve të Kosovës në komunat veriore, para zgjedhjeve lokale, tregojnë se cak janë institucionet e shtetit të Kosovës dhe qytetarët serbë që duan të jetojnë në dhe me shtetin e Kosovës. Aleksandër Vuçiq nuk e ka interes integrimin dhe avancimin e serbëve në shtetin e Kosovës. E kundërta, ai kërkon që pakica serbe këtu të jetë e ndarë dhe kundër shtetit të Kosovës. Ata duan me zor ta mbajnë gjallë një konflikt të paqenë midis qytetarëve me bazë kombësie”, ka shkruar ajo.
Përmes këtyre metodave, Kusari-Lila ka thënë se Serbia beson se do të pamundësojë integrimin e shtetit të Kosovës dhe shkatërrimin e të gjithë mekanizmave demokratik.
“Por sot para nesh ne kemi qytetarët e ndershëm përballë bandave kriminale të Vuçiqit. Dhe Policinë e Kosovës duke kryer detyrën e saj në mbrojtje të qytetarëve dhe institucioneve. Nuk ka askush problem me qytetarët serbë në Kosovë. Por Vuçiqi e ka problem që ata nuk punojnë të gjithë kundër shtetit të Kosovës. Fatkeqësisht, Serbia e Millosheviqit po funksionon ende me Vuçiqin ne krye të saj”, ka shkruar ajo.

Back to top button